Nuk ka kuorum për votimin e Raportit Vjetor të "gjykatës së tenderëve" për vitin 2019

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum që ta votoj Raportin Vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2019.

Hekuran Murati, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se nuk e mbështesin një raport të tillë.

“Vlen të theksohet edhe tenderi 5 milionësh i përfolur i cili i është dhënë (kompanisë së) ministrit të po kësaj qeverie. Kur një institucion i jep drite të gjelbër për tendera ministrave ne nuk mund ta mbështesim apo të miratojmë ndonjë raport nga ky institucion”, tha ai.

Shkëlzen Hajdini deputet i LDK-së, tha se ky raport i OShP-së përmbush kriteret për raportim.

“Në emër të LDK-së do ta votojmë këtë raport me rekomandim që shqyrtimi i lëndëve nga kjo organizatë buxhetore të bëhet nga ekspertët e fushës, dhe jo ashtu siç ka ndodh bazuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit”, tha ai.

Kujtim Gashi deputet i PDK-së tha se raporti bazohet në fondin e përgjithshëm që ndahet nga buxheti i Republikës së Kosovës.

“Duke kërkuar që përmes veprimeve OShP të mbledhë edhe borxhet e mëdha që kanë mbetur pa u paguar ne në parim e mbështesim këtë raport”, shtoi ai.

Për këtë pikë kanë dhënë mbështetje edhe AAK dhe Nisma.

Pasuria milionëshe dhe tenderët e fituar nga ministri i ri i Ekonomisë dhe Ambientit