Pasuria milionëshe dhe tenderët e fituar nga ministri i ri i Ekonomisë dhe Ambientit

Ministri i ri i Ekonomisë dhe Ambientit dhe nënkryetari i AAK-së, Blerim Kuçi ka deklaruar se posedon aksione në dy biznese, kapitali i të cilave së bashku kap vlerën rreth 2 milionë euro.

NPN “Hidroterm”, në të cilën Kuçi posedon 100 për qind të aksioneve vlerësohet të ketë kapital 782 mijë euro. Kurse biznesi tjetër, “Hidroterm BK” Doo, në të cilin po ashtu Kuçi është pronar i 100 për qind të aksioneve, ka kapital mbi 1 milionë e 75 mijë euro.

Kuçi gjithashtu ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë 1 milionë e 178 mijë e 800.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion për vitin 2019, Kuçi ka deklaruar se është pronar i 7 pronave të paluajtshme, ku hyjnë troje, lokale, shtëpi e banesa.

Përveç pasurisë së paluajtshme, Kuçi ka deklaruar edhe pronësinë e dy veturave në AKK. Vetura e markës “Mercedes” është deklaruar se ka vlerën 65 mijë euro dhe është përfituar nga aktiviteti biznesor.

Vetura tjetër e markës “BMW”, është deklaruar në pronësi të fëmijëve të Kuçit. Ajo është vlerësuar me 25 mijë euro.

Sa i përket parave të gatshme, Kuçi ka deklaruar se nëpër bankat e Kosovës mban rreth 4 mijë euro të cilat i takojnë atij, bashkëshortes dhe fëmijëve.

Në AKK, Kuçi ka deklaruar të hyrat vjetore të tij, bashkëshortes, fëmijëve, prindit dhe njerkës së tij. Të hyrat vjetore të Kuçit kapin vlerën 54 mijë. Këto të hyra vijnë nga pozita e tij si deputet i Kuvendit të Kosovës, nga të hyrat e biznesit NPN “Hidroterm” dhe nga boznesi tjetër “Hodroterm BK” Doo.

Të hyrat vjetore të bashkëshortes së tij janë në vlerën 14 mijë e 400 euro, të hyrat e fëmijëve të tij Kuçi ka deklaruar se vijnë nga biznesi NPN “Hidroterm” dhe janë në vlerën 9 mijë euro.

Pensionet e prindit dhe njerkës së Kuçit kapin vlerën 1 mijë e 700 euro, sipas formularit për deklarimin e pasurisë.

Gjithashtu, Kuçi ka fituar dy kontrata milionëshe gjatë vitit 2019 nga komuna të cilën e udhëheq bashkëpartiaku i tij, Bali Muharremaj si dhe nga Ministria e Kulturës e udhëhequr nga Kujtim Gashi i PDK-së.

Në shtator të vitit 2019, kompania “Hidroterm” që është pronë e Blerim Kuçit ka fituar kontratë për projektin për “Rregullimin e rrugës brigada 123 Qendër-Suharekë –Sheshi” në vlerë prej 1 milion e 740 mijë euro.

Kompania e nënkryetarit të AAK-së nuk kishte dorëzuar ofertën më të lirë për këtë tender. Kanë qenë të paktën edhe dy oferta më të lira. Oferta më e lirë e dorëzuar për këtë projekt ishte në vlerë prej 1,5 milionë euro, apo 200 mijë euro më e lirë se sa oferta e kompanisë së Blerim Kuqit. Ofertat më të lira ishin eliminuar nga gara nga Komuna e Suharekës.

Nënkryetari i AAK-së, Blerim Kuçi për KALLXO.com kishte deklaruar se kompania që ka fituar tenderin Komuna e Suharekës është në pronësi të tij.

Ai ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka pasur ndikim në dhënien e tenderit.

“Kompania është në pronësinë time e menaxhimin e kompanisë dhe bordin e ka tjetërkush. Kompania është 100 për qind e imja e menaxhimin e ka Blerta Kuçi. Nuk ka ndikuar partia, por unë i kam plotësuar të gjitha kriteret sepse ne jemi kompani serioze dhe kryejmë punë serioze, ju mund t’i pyetni edhe zyrtarët e prokurimit rreth procedurave”, ka deklaruar Kuçi.

Përveç tenderit bazë, Kuçi në fund të muajit mars kishte marrë edhe një tender për punë shtesë për projektin e njëjtë.

Tenderi i ri në vlerë prej 79,943 euro është për punë shtesë të një tenderi që e kishte fituar vitin e kaluar nga Komuna e Suharekës, për “Rregullimin e rrugës brigada 123 Qendër-Suharekë –Sheshi- Punë shtesë”. Kjo kontratë e punëve shtesë i bashkëngjitet kontratës bazë për këtë projekt e cila ka pasur vlerën  1 milionë e 740 mijë e 415 euro.

Gjithsej, ky projekt do t’i kushtojë komunës së Suharekës  1,820,358 euro.

Gjithashtu, kjo kompani ka fituar tender edhe nga Ministria e Kulturës në gusht të vitit 2019, në vlerë prej 1,589,424 Euro për ndërtimin e palestrës sportive në komunën e Dragashit.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj sot bëri të ditur se kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në.

Sot u takuam me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe të nominuarin për kryeministër, Avdullah Hoti. Unë isha me të nominuarin tonë për zëvendëskryeministër, Besnik Tahiri. Pra sot është arritur marrëveshja për bashkëqeverisje”, tha ai para gazetarëve.

Sipas marrëveshjes, AAK-ja pritet t’i ketë nën udhëheqje katër ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë.

“Zëvendëskryeministri i parë do të jetë z. Besnik Tahiri, pastaj, ministre e jashtme do të jetë zonja, Meliza Haradinaj- Stublla. Ajo nuk është e familjes sime, njëkohësisht për ministër të Drejtësisë do të jetë Selim Selimi, ministër i Zhvillimit Ekonomik do të jetë Blerim Kuçi dhe ministër i Arsimit do të jetë profesor,  Ramë Lika”, tha tutje Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, LDK-ja gjatë ditës së sotme pritet të nënshkruajë koalicion edhe me partitë e tjera. LDK-ja ka paralajmëruar se shumë shpejt do të thirret edhe seanca e Kuvendi ku pritet të votohet për qeverinë e re.

Qeveria tash në detyrë në krye me Albin Kurtin është rrëzuar nga një mocion i mosbesimit në Kuvendin e Kosovës me 25 mars.