ILUSTRIM
Nuk i pagoi faturat me kohë, Komunës së Parteshit përmbaruesi i mori rreth 6 mijë euro
Për shkak të mos-sigurimit të fondeve me kohë, Komuna e Parteshit nuk i kishte kryer pagesat e faturave brenda afatit të paraparë, me ç’rast përmbaruesi ia mori rreth 6 mijë euro.
“Ne testuam pesë fatura në vlerë prej 3,665 euro, dhe identifikuam se pagesa e këtyre faturave të pranuara nuk ishte bërë brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Vonesat ishin prej 3 deri në 10 muaj”, thuhet në një nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në Komunën e Parteshit për vitin 2020.
Në raport thuhet se si rezultat i vonesave në pagesën e faturave nga ana e komunës, Thesari ka paguar nga llogaria komunale faturat në vlerë prej 32,257 euro. Prej tyre borxhi kryesor ishte 26,307 euro ndërsa kostot e përmbarimit dhe taksat tjera ishin në vlerë prej 5,950 euro.
Mospagesa kishte ndodhur për shkak të mos sigurimit të fondeve dhe kjo ka ndikuar që komuna të paditet nga operatorët ekonomikë dhe të shkaktohen shpenzime gjyqësore shtesë.
Sipas Auditorit, fatura e vlefshme dhe kërkesa për pagesë e mallrave dhe shërbimeve duhet të paguhen brenda 30 ditëve kalendarike siç kërkohet me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.
Kreut të komunës iu rekomandua të sigurojë pagesën me kohë të faturave dhe mos të shkaktohen shpenzime shtesë.
“Kryetari duhet të sigurojë se pagesa e faturave bëhet në përputhje me afatet kohore të përcaktuara me rregullore, për të shmangur shpenzimet shtesë buxhetore”, rekomandon Auditori.
Përmes letër-konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), kryetari i Komunës së Parteshit, Dragan Petkoviç, e ka konfirmuar se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për vitin 2020.