Komuna e Parteshit FOTO-KALLXO.com
Komuna Parteshit angazhoi 21 zyrtarë në kundërshtim me Ligjin
Hiç më pak se 21 zyrtarë, për shërbime të veçanta, Komuna e Parteshit i angazhoi në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarë Publik.
“Komuna gjatë vitit 2020 kishte angazhuar 21 zyrtarë për shërbime të veçanta. Ne analizuam rastet e angazhimeve pas hyrjes në fuqi të ligjit për zyrtarët publik, dhe kemi vërejtur se në 8 raste të angazhimeve kontratat ishin nënshkruar pa udhëhequr ndonjë procedurë të prokurimit siç kërkohet me ligjin për zyrtarët publik”, thuhet në gjetjen e raportit.
Më tej thuhet edhe pse komuna gjatë vitit 2020 punoi shumicën e kohës vetëm me staf esencial për shkak të pandemisë Covid-19 kishte angazhime me marrëveshje për shërbime të veçanta e që një pjesë ishte për mbulimin e pozitave të rregullta.
Kjo kishte ndodh si pasoj e mungesës së pozitave të aprovuara me buxhet.
Anashkalimi i procedurave të prokurimit, përveç se është mosrespektim i kërkesave ligjore sipas auditorit mirëpo shihet edhe si rrezik i mbulimit të pozitave me staf jo adekuat.
Kryetari të komunës i rekomandohet të sigurohet se respektohen procedurat e prokurimit në angazhimin e zyrtarëve për shërbime të veçanta.
“Kryetari duhet të sigurojë se janë ndjekur të gjitha procedurat dhe hapat e prokurimit në angazhimin e kontraktorëve individual për shërbime të veçanta duke u kujdesur që personeli i angazhuar do të jetë në gjendje të përmbush detyrat e kërkuara. Po ashtu, menaxhmenti duhet të përkujdeset që angazhimet për pozitat e rregullta të zhvillohen përmes procesit të rregullt të rekrutimit”, rekomandon raporti
Përmes letër konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), kryetari i Komunës së Parteshit, Dragan Petkoviç, konfirmoj se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2020 të Komunës së Parteshit.