Lista e gjatë e shkeljeve të komunës së Parteshit sipas Auditorit
Komuna e Parteshit e cila udhëhiqet nga Dragan Petkoviq, gjatë vitit 2017 kishte angazhuar gjashtë të punësuar përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta, pa zhvilluar ndonjë procedurë të thjeshtësuar të rekrutimit. Kjo mënyrë e punësimit sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit nuk është në përputhje me kërkesat ligjore.
“Të punësuarit ishin angazhuar për pozita të rregullta si: këshilltar ligjor dhe mirëmbajtës të hapësirave të komunës”, thuhet në raportin e Auditimit të Pasqyrave financiare të Komunës së Parteshit për vitin 2017.
“Anashkalimi i procedurave të rekrutimit me rastin e lidhjes së marrëveshjeve për shërbime të veçanta, rrit rrezikun të rezultojë me angazhimin e personave jo të duhur për kryerjen e shërbimeve të kërkuara, si dhe nuk siguron trajtim të barabartë për të gjithë konkurrentët potencial”, thuhet në raport.
Madje këta punëtorë janë paguar me pagë të plotë duke mos ua ndalur tatimin në burim dhe kontributin pensional ashtu siç caktohet me Ligjin për tatime në të ardhur personale.
“Mos mbajtja e tatimit dhe i kontributeve pensionale ndikon në mbledhjen e të hyrave të përgjithshme buxhetore si dhe paraqet rrezik për pagesën eventuale së gjobave”, thuhet në raportin e Auditimit.
Kjo komunë nuk i ka përfshirë pasuritë e paluajtshme në regjistrin e pasurisë.
“Në regjistrin e pasurive nuk janë përfshirë pasurit e paluajtshme si toka në pronësi të komunës, shtatë automjete të cilat janë në shfrytëzim, si dhe pagesat e realizuara gjatë vitit për projekte kapitale, në vlerë 25,178 euro”, thuhet në raport.
Vërejtja tjetër për Komunën e Parteshit sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm është edhe mos realizimi i buxhetit për investime kapitale sipas planit dhe projekteve të synuara të kësaj komune.
“Vetëm 64% e buxhetit për investime kapitale ishte realizuar. Ekzekutimi i ulët lidhur me projektet kapitale është sfida kryesore me të cilën po përballet komuna. Shkaktarë të ekzekutimit të ulët ishin vonesat në realizimin e kontratave si dhe menaxhimi jo i mirë i tyre”, thuhet në raport.
Komuna e Parteshit gjatë vitit 2017 nuk ka arritur t’i menaxhoj dhe raportoj obligimet e veta ndaj furnitorëve në përputhje me kërkesat e rregullores së thesarit.
“Ata nuk raportojnë në baza mujore lidhur me obligimet e tyre. Mos raportimi i rregullt mujor i obligimeve, ose mos zbatimi i rregullave financiare, mund të rezultojë me pagesa të paplanifikuara nga buxheti i vitit të ardhshëm”, thuhet në të gjeturat e Auditorit.
Komuna e Parteshit sipas raportit ka pasur edhe mungesë të planit prokurimit për procedurat që do të zhvillohen në vitin 2017 si dhe mungesën e Njësive të Auditimit të Brendshëm.
“Mungesa e auditimit të brendshëm mund të rezultojë me vazhdimin e përsëritjes së dobësive në sistemet kyçe të kontrollit të brendshëm. Për më tepër, menaxhmenti mund të mos i identifikojë dhe reagojë me kohë ndaj parregullsive dhe dobësive të kontrollit”, thuhet në raport.
Komuna e Parteshit sipas raportit ka një nivel të ultë të zbatimit të rekomandimeve nga viti i mëhershëm.
“Nivel i ulët i zbatimit të rekomandimeve nga viti paraprak dhe viti i mëhershëm E gjetura Për shkak të menaxhimit jo te mirë të procesit dhe mungesës së një monitorimi formal për mënyrën e zbatimit të rekomandimeve të AP-së, një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve kanë mbetur të pazbatuara, ose në proces të zbatimit, përfshirë këtu edhe rekomandimet nga vitet e mëhershme”, është thënë në vlerësimin e Auditorit.