Nord Stream: Tubacioni kryesor rus rifillon pompimin e gazit në Evropë

Rusia e ka rifilluar furnizimin me gaz në Evropë përmes tubacionit të saj më të madh, Nord Stream 1, pas një ndërprerjeje 10-ditore për shkaqe të  mirëmbajtjes.

Kishte frikë se Moska mund të mos e rifillonte  furnizimin si përgjigje ndaj sanksioneve të BE-së për luftën në Ukrainë.

Të mërkurën, Komisioni Evropian u kërkoi vendeve anëtare ta reduktojnë përdorimin e gazit me 15% gjatë shtatë muajve të ardhshëm në rast se Rusia e ndërpret furnizimin e Evropës.

Rusia e ka furnizuar Evropën me 40% të gazit të saj natyror vitin e kaluar.

Gjermania ishte importuesi më i madh i kontinentit në vitin 2020, por e ka reduktuar varësinë e saj nga gazi rus nga 55% në 35%. Përfundimisht, ajo dëshiron ta ndalojë plotësisht përdorimin e gazit nga Rusia.

Presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar ta minimizojë frikën, duke u thënë gazetarëve se kompania shtetërore e gazit Gazprom do t’i përmbushë të gjitha detyrimet e saj kontraktuale.

 Tubacioni e rifilloi operimin herët në mëngjes të enjten, por një zëdhënës tha se ai po jepte vetëm 40% të kapacitetit të tij.

Ky është i njëjti nivel me të cilin funksiononte në mesin e qershorit kur Gazprom i ndërpreu rrjedhat e gazit duke i vënë fajin një vonese në kthimin e pajisjeve që servisoheshin nga Siemens Energy e Gjermanisë.

Gazi po rrjedh përsëri – por me një kapacitet të reduktuar.

Pak në Berlin, apo në ndonjë kryeqytet tjetër evropian, i besojnë Vladimir Putinit për ta furnizuar energjinë nga e cila, veçanërisht, Gjermania varet kaq shumë.

Edhe pse Evropa është zhytyr në një valë të nxehti, ministrat këtu janë shumë të vetëdijshëm se vendi aktualisht nuk ka gaz të mjaftueshëm të depozituar për ta kaluar atë gjatë dimrit.

Ata po i nxisin njerëzit ta kursejnë energjinë, duke u përpjekur të sigurojnë furnizime me gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga vendet e tjera, madje edhe duke i ndezur termocentralet e vjetra të qymyrit – pavarësisht një premtimi për të hequr dorë gradualisht nga karburantet fosile.

Udhëheqësit e industrisë kanë paralajmëruar se një mungesë e gazit, e cila ende mund të çojë në racionim, mund të shkaktojë recesion.

Kjo do ta kënaqte Vladimir Putinin, i cili dëshiron të provokojë kaos politik dhe ekonomik në Perëndim./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala