steel pipelines and cables in a plant,Industrial zone.

Komisioni Evropian: BE-ja duhet ta reduktojë përdorimin e gazit me 15 për qind këtë dimër

Komisioni Evropian u bëri thirrje vendeve anëtare të mërkurën që ta reduktojnë përdorimin e tyre të gazit me 15 për qind, nga 1 gushti i këtij viti deri më 31 mars 2023, për t’u siguruar se mund të përballojnë në rast të një ndërprerjeje totale të gazit nga Rusia.

Vendimi vullnetar është pjesë e planit të shumëpritur “Save Gas for Safe Winter” [Kurseni gazin për dimër të sigurtë] të paraqitur në Bruksel për shqetësimet se BE-ja do të ketë vështirësi jo vetëm t’i mbushë kapacitetet e depozitimit të gazit përpara fillimit të dimrit, por gjithashtu të dështojë të sigurojë furnizime të mjaftueshme shtesë për t’i mbushur boshllëqet gjatë muajve të ftohtë.

Qëllimi, tha Komisioni, është të mbrohet furnizimi për familjet dhe përdoruesit esencialë, të tilla si spitalet dhe industritë kryesore, me të gjithë aktorët ekonomikë, përfshirë qytetarët, gjithashtu të nxitur të mendojnë për sjelljen e tyre.

Shefja e Komisionit Ursula von der Leyen nënvizoi se megjithëse disa shtete anëtare janë më të ekspozuara ndaj gazit rus dhe për këtë arsye janë më të prekshme ndaj ndërprerjeve, të gjitha vendet anëtare “do të vuajnë” nëse blloku i BE-së nuk vepron në mënyrë të koordinuar pasi do të ketë një ndikim në tregun unik dhe në ekonomi e si rrjedhojë edhe në punësim.

“Është e rëndësishme që të gjitha vendet anëtare të kontribuojnë në kursimin, ruajtjen dhe të jenë të gatshëm ta ndajnë gazin,” tha ajo.

Si pjesë e propozimit, shtetet anëtare do të duhet t’i paraqesin planet kombëtare të energjisë në Komisionin deri në fund të shtatorit dhe të ofrojnë një përditësim çdo dy muaj. Vendeve që kërkojnë furnizime solidariteti me gaz do t’u kërkohet të demonstrojnë masat që kanë marrë për ta ulur kërkesën brenda vendit.

Legjislacioni i propozuar do t’i japë gjithashtu Komisionit autoritetin për të shpallur një ‘alarm të Bashkimit’ për sigurinë e furnizimit dhe për ta vendosur një reduktim të detyrueshëm të kërkesës për gaz për të gjitha vendet anëtare nëse nuk arrijnë ta reduktojnë mjaftueshëm vullnetarisht.

Ky alarm do të aktivizohej kur “ekziston një rrezik esencial i mungesës së mdhe të gazit ose një kërkesë jashtëzakonisht e lartë për gaz”, tha Komisioni në një deklaratë.

Von der Leyen shpjegoi se një reduktim prej 15% në konsumin e gazit barazohet me rreth 45 miliardë metra kub (bcm) gaz – Rusia i dorëzoi BE-së rreth 150 bcm gaz në vitin 2021 – dhe se kjo do t’i mundësonte bllokut “ta tejkalojë dimrin mënyrë të sigurt” në rast të një shkëputjeje të plotë nga Rusia. Do të shmangte gjithashtu nevojën për të vendosur masa të detyruara të reduktimit që mund t’i detyrojë disa industri ta ngadalësojnë prodhimin për të kursyer energji.

Propozimi i Komisionit do të diskutohet nga ministrat e BE gjatë një samiti të jashtëzakonshëm të energjisë me 26 korrik..

Magazinimi i gazit i mbushur deri në 65 për qind

BE-ja dhe partnerët e saj perëndimorë e kanë akuzuar Rusinë për armatim të furnizimeve me gaz në Evropë si hakmarrje ndaj sanksioneve të vendosura për sulmin e saj të vazhdueshëm ushtarak ndaj Ukrainës. Blloku ka vendosur një embargo ndaj naftës ruse, e cila do të hyjë në fuqi në fund të vitit dhe që duhet të rezultojë në një ulje prej 90% të importeve. Megjithatë, ajo ka shmangur vendosjen e sanksioneve ndaj gazit rus.

Megjithatë, 12 shtete anëtare tashmë kanë ndërprerë furnizimin e tyre me gaz rus, pjesërisht ose plotësisht.

Në përgjigje, Komisioni thotë se është i gatshëm t’i koordinojë blerjet e përbashkëta të gazit për shtetet anëtare dhe gjithashtu ka arritur marrëveshje furnizimi me një numër furnizuesish të tjerë duke përfshirë SHBA-në, Norvegjinë, Azerbajxhanin, Katarin dhe Izraelin.

Blloku i BE-së gjithashtu është angazhuar tashmë për t’i mbushur kapacitetet e depozitimit të gazit në të paktën 80% përpara 1 nëntorit, por shqetësimet po rriten se do të jetë një detyrë e vështirë pasi Rusia siguron 40% të gazit të importuar të bllokut të BE-së dhe se infrastrukturës për të marrë gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga burimet alternative mungojnë kryesisht.

Gazprom, kompania shtetërore ruse e gazit, paralajmëroi këtë javë se furnizimet e saj nëpërmjet Nord Stream 1, tubacioni përmes të cilit rreth një e treta e tranzitit të gazit rus drejt Evropës, do të ndërpriteshin edhe më shumë pas rifillimit të operacioneve të enjten pas një plani 10-ditor për arsye të mirëmbajtjes.

Komisioneri Evropian për Energjinë Kadri Simson u tha gazetarëve se kapacitetet e ruajtjes së gazit në BE tani janë mbushur me rreth 65%, por se reduktimi i mëtejshëm i dërgesave të gazit rus do ta bëjë arritjen e objektivit prej 80% “shumë sfidues”.

 Dështimi për t’i plotësuar në mënyrë adekuate kapacitetet e magazinimit do të thotë “ne rrezikojmë ta përfundojmë këtë dimër me depo të zbrazët që do të jetë e pamundur të rimbushet në kohë për sezonin e ardhshëm të ngrohjes”, theksoi ajo.

Masa të tjera që shtetet anëtare mund të marrin përfshijnë kalimin nga gazi në burime të tjera energjie, me prioritet për burimet e rinovueshme dhe karburantet më të pastra.

Shefi i Komisionit përmendi për shembull se kapaciteti i energjisë së rinovueshme arriti në rreth 20 Gigavat që nga fillimi i vitit, që është “rreth 4 bcm (gaz rus) i zëvendësuar nga burimet e rinovueshme deri më tani”.

Por zëvendësimi i gazit mund të nënkuptojë gjithashtu zgjerimin e termocentraleve bërthamore dhe qymyrit, siç kanë njoftuar tashmë disa shtete anëtare, tha Komisioni.

‘Hiqni dorë nga disa komoditete’

Më në fund, von der Leyen dhe tre komisionerët që shpalosën planin gjithashtu u munduan të nënvizonin se të gjithë duhet ta luajnë një rol për të kursyer gazin gjatë kësaj vere dhe gjatë dimrit.

Simson përmendi për shembull se “ekziston një potencial i konsiderueshëm për sektorin publik për ta ulur kërkesën”.

Për më tepër, Frans Timmermans, Zëvendës-Presidenti Ekzekutiv i Komisionit përgjegjës për Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, theksoi, “shumë nga kursimet e mundshme janë masa pa keqardhje” që qytetarët mund t’i, të tilla sikurse fikja e dritave dhe pajisjeve të tjera elektrike, rritjen e temperaturave të ajrit të kondicionuar dhe uljen e temperaturës së ngrohjes.

“Ne mbetemi zotër të fatit tonë nëse e bëjmë vërtet këtë,” vazhdoi ai, duke argumentuar se nëse evropianët “heqin dorë nga disa komoditete”, blloku i BE-së “do ta shmangte një krizë të plotë dimrin e ardhshëm”./Euronews