Njëvjetori i luftës në Ukrainë, Kuvendi i Kosovës mban një minutë heshtje për viktimat

Seanca e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës, ka filluar duke mbajtur një minutë heshtje për të nderuar viktimat që humbën jetën nga lufta në Ukrainë.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca propozoi para deputetëve që të mbajnë një minutë heshtje, pasi të premten bëhet një vjet nga agresioni rus në Ukrainë.

“Propozoj që në emër të Kuvendit të Kosovës meqë jemi në njëvjetorin e luftës së Ukrainës, të agresionit të paprovokuar rus, t’i nderojmë të gjitha viktimat e luftës që e humbën jetën nga ky agresion i Rusisë”- tha Konjufca.

“U kujtofshin gjithmonë ata që dhanë jetën për lirinë e Ukrainës. Kosova qëndron fuqishëm krah popullit të saj, nuk kam kurrfarë dyshimi që populli i Ukrainës do ta fitojë këtë luftë të drejtë”- shtoi ai.

Ndërkaq, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu Hyseni tha se kjo luftë lëkundi tej mase themelin mbi të cilin ishte ndërtuar Bashkimi Evropian, e që sipas saj është paqja.

“Nesër behet një vit prej kur Rusia nisi luftën në Ukrainë duke cenuar sigurinë në gjithë kontinentin. Shumë ukrainas kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve që kanë rrënuar qytete. Kjo luftë lëkundi tej mase themelin mbi të cilin ishte ndërtuar Bashkimi Evropian, paqen”- u shpreh ajo.

Kryeziu- Hysenu theksu se një ditë pas fillimit të luftës, Kosova u bashkërendua me politikën e jashtme duke vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke shtuar se e njëjta gjë nuk ndodhi edhe me Serbinë.

Një ditë pasi lufta nisi atje, Kosova e bashkërenduar me politikën e jashtme, vendosi sanksione për Rusinë. Njëjtë bën shumë shtete por të njëjtën nuk e bëri Serbia. Serbia e frymëzuar nga Putini disa herë është përpjekur të cenoj sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës gjatë këtij një viti”- deklaroi deputetja.

Ka kaluar pothuajse një vit që kur Rusia filloi një pushtim të plotë të Ukrainës, duke mbjellë vdekje dhe shkatërrim në të gjithë vendin, me mijëra civilë ukrainas të vdekur, dhjetëra mijëra ushtarë nga të dyja palët të vrarë, miliona të zhvendosur, qytete dhe fshatra të tëra ukrainase të rrafshuara me tokë.