Njesia Speciale, Ilustim, FOTO: KALLXO.com

Njësia Speciale mbikëqyr situatën në Jarinjë

Ekipe të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë parë duke mbikëqyrur situatën në pikën kufitare në Jarinjë.

Informatat që ka pranuar KALLXO.com tregojnë se zëvendësimi i policëve që kanë ofruar dorëheqje është kryer edhe në këtë stacion.

Pranë këtij stacioni është parë edhe EULEX, përderisa rrugës për në Jarinjë, ende pa hyrë në Leposaviq, janë parë edhe KFOR-i.

FOTO: KALLXO.com

Ditëve të fundit, në zonën veriore të Kosovës mbi 500 zyrtarë policorë të nacionalitetit serb kanë ofruar dorëheqje nga pozitat që mbanin.

Përpos policëve, dorëheqja është ofruar edhe nga prokurorët e gjyqtarët e edhe nga deputetët e Listës Serbe, të cilët më 5 nëntor të këtij viti kishin ftuar një mbledhje.

Ofrimi i dorëheqjeve të këtyre të fundit erdhi pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në Rajonin e Mitrovicës – Veri, Nenad Gjuriq.

Gjuriq u suspendua nën dyshimin se sabotoi dhe bëri thirrje për rezistencë kur tha se nuk do t’u lëshojë fletë-qortime qytetarëve që kanë targa ilegale.

Siç raportojnë mediat serbe, Gjuriq nesër gjatë ditës do të pritet në takim nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.