Njerëzit që vaksinohen kundër COVID-19 kanë më pak gjasa të vdesin nga shkaqe të tjera

Pothuajse një vit më parë kompanitë farmaceutike Pfizer dhe BioNTech shpallën rezultatet e para premtuese nga një provë klinike të një vaksine kundër COVID-19. Që nga ajo kohë, studimet nga e gjithë bota kanë konfirmuar se vaksinat janë të sigurta dhe ofrojnë mbrojtje të mirë kundër formave të rënda dhe të ndryshme të virusit. Kohëve të fundit një raport më i fundit nga Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) në Amerikë ka ofruar një arsye të re, madje edhe misterioze, për të qenë të lumtur me një vaksinim kundër COVID-19. Të dhënat e CDC tregojnë se njerëzit e vaksinuar me vaksinat Pfizer ose Moderna Covid-19 kanë një të tretën më pak të gjasave që të vdesin edhe nga shkaqe të tjera.

Rezultati shihet si befasues, aq më tepër për shkallën e tij. Studimi i CDC filloi me të dhënat shëndetësore të më shumë se 11 milionë amerikanëve. Studiuesit i përcollën këta njerëz nga dhjetori i vitit 2020 deri në korrik të vitit 2021, duke regjistruar çdo vdekje dhe shkaqet e tyre. Gjatë kësaj periudhe, rreth 6 milionë njerëz në grup u vaksinuan kundër Covid-19. Studiuesit më pas qenë në gjendje t’i ndanin ata që kishin vdekur pasi ishin vaksinuar nga ata që kishin vdekur të pavaksinuar.

Raporti në fjalë tregoi se, pas përjashtimit të çdo vdekjeje të ndërlidhur me Covid-19 dhe kontrollit të faktorëve demografikë, të tillë si mosha dhe gjinia, njerëzit që ishin vaksinuar kishin shumë më shumë gjasa për të mbijetuar. Ata që kishin marrë dy doza me vaksinat Pfizer ose Moderna kishin një normë mesatare të vdekshmërisë jo të lidhur me COVID-in prej afërsisht 0.35 për 100 persona-vjet (persona-vjet dhe persona-muaj janë lloje të matjeve që marrin parasysh si numrin e njerëzve në studim ashtu edhe sasinë e kohës që çdo person kalon në studim) – që do të thotë se nga 1000 të monitoruar pritej të vdisnin nga tre deri në katër persona. vit. Për të pavaksinuarit, shkalla e vdekshmërisë ishte më shumë se tri herë më e lartë, në 1.11 për 100 persona-vjet. Ky model i matjes ka përfshirë të gjitha racat dhe etnitë, dhe në shumicën e grupmoshave, edhe pse shkalla e përgjithshme e vdekshmërisë ndryshonte.

Kjo nuk është hera e parë që shkencëtarët kanë zbuluar se vaksinat e krijuara për të parandaluar një sëmundje duket se janë mbrojtëse edhe kundër shkaqeve të tjera të vdekjes. Edhe pse gripi sezonal është përgjegjës vetëm për rreth 5% të vdekshmërisë gjatë dimrit, disa studime të mëdha grupore kanë zbuluar se shkalla e vdekshmërisë për çdo shkak është rreth 50% më e ulët tek njerëzit që janë vaksinuar kundër gripit.

Një arsye për këtë model është se njerëzit që vaksinohen mund të priren të jenë më të shëndetshëm se ata që janë refuzues ndaj vaksinës. Mesatarisht, ata njerëz që zgjedhin të vaksinohen investojnë më shumë kohë dhe energji për t’u kujdesur për veten dhe për t’u përfshirë në sjellje më pak të rrezikshme. Megjithatë, studimi i CDC-së u përpoq ta kontrollonte këtë. Çdo anëtar i pavaksinuar i grupit kishte marrë një vaksinë kundër gripit në dy vitet e fundit. Ky ishte një grup që ishte i gatshëm dhe i aftë të ndërmerrte hapa për t’u kujdesur për shëndetin e tyre.

Sigurisht, ka edhe arsye të tjera pse shëndeti i dy grupeve mund të ndryshojë sistematikisht. Disa njerëz këshillohen që të mos vaksinohen për shkak të sëmundjeve tjera shoqëruese, në mënyrë që grupi i pavaksinuar ka të ngjarë të përmbajë më shumë njerëz me të dhëna komplekse mjekësore. Gjatë një pandemie, të pavaksinuarit mund të kenë gjithashtu arsye shtesë për të vonuar kërkimin e të gjitha llojeve të kujdesit mjekësor, nga frika e infektimit me virusin në zyrat e mjekëve apo në spitale. Kjo mund të rezultojë në kushte vdekjeprurëse, të tilla si kanceri ose sëmundjet e zemrës që zbulohen shumë vonë.

Studime të mëdha vëzhguese mund të ofrojnë njohuri të pakrahasueshme për sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave në popullata të ndryshme. Megjithatë, të dhënat e botës reale nuk kontrollohen kurrë në mënyrë të përsosur, shkruan the economist. Duket e sigurt se një ndryshim ende i padukshëm midis njerëzve që vaksinohen dhe atyre që nuk e bëjnë një gjë të tillë, në vend të ndonjë përfitimi të panjohur të vaksinës, është falënderimi (ose faji) për efektet e ndërlidhura reciprokisht të vaksinës. Vaksinimet nuk janë imunizime kundër vdekshmërisë.

Përgatiti: Nuhi Shala