Një vit pas fillimit të luftës, çfarë e pret Ukrainën?

Perëndimi e ka mbështetur Ukrainën deri në atë masë që Vladimir Putin, e ndoshta edhe vetë perëndimi, nuk pritej se do ta bënin qysh kur presidenti rus filloi pushtimin e tij në Ukrainë. Perëndimi ka qenë avokati i Ukrainës, streha e saj, arsenali i saj dhe bankieri i saj, nëse jo aleati i saj i plotë ushtarak. Perëndimi e ka gjetur një mënyrë për të qenë miku i mirë i Ukrainës ndërkohë që Ukraina është ende nën breshërinë e zjarrit.

Mirëpo një provë më e vështirë po shfaqet tani kur perëndimi duhet të vendosë se çfarë lloj miku do të jetë për një vend të pambrojtur, gjysmë të rrënuar, ku luftimet janë ndalur kryesisht, por ku lufta nuk është po mbaron dhe mund të mos mbarojë edhe për një kohë të gjatë.

Ndoshta në vetëm një vit nga tani, nëse jo më shpejt, perëndimi – kjo tërësi e paqartë e demokracive të pasura të Amerikës së Veriut dhe Evropës që përfshin disi Australinë dhe Japoninë – do të duhet të përballet me një pyetje të cilën deri tani e ka shmangur: sa larg mund të vazhdojmë për ta mbrojtur Ukrainën në një afat të gjatë?

Në verbërinë vrastare të Putinit dhe kokave gjenocidale që flasin në televizionin rus, ka qartësi për vendin e ardhshëm të Ukrainës në botë. Ata nuk mendojnë se duhet të ketë një të tillë, përveçse si një rajon i Rusisë me një nuancë folklorike shumë të kontrolluar. Por çfarë mendon perëndimi për pozicionin e Ukrainës në të ardhmën? Nëse ne në perëndim jemi djemtë e mirë, ku është qartësia, apo debati, për kapacitetin tonë për detyrën më të rëndë përpara? Detyra nuk është municioni sot, aq jetik sa të jetë, apo rindërtimi nesër, por të jemi garantuesit e ardhshëm të lirive të Ukrainës për dekadat e ardhshme.

A kemi vullnet? A duhet të kemi besim?

Vendet priren ta kuptojnë njëri-tjetrin përmes klisheve dhe, për pjesën më të madhe të ekzistencës së tij, perëndimi ka pasur pak për ta përdorur në Ukrainë. Ukraina vuante nga paaftësia jonë kronike për të bërë dallimin midis një klisheje që ka një element të së vërtetës dhe një klisheje që është e gjithë e vërteta. Në stereotipin perëndimor të një vendi që ishte i varfër, i keqmenaxhuar, i korruptuar dhe i ndarë në mënyrë kronike midis një perëndimi nacionalist dhe një lindje pro-ruse, rrallë kishte hapësirë për një “po, por…”.

Kryengritjet popullore në vitet 2004 dhe 2014, në të cilat intelektualët dhe klasa e mesme ukrainase luajtën një rol kryesor dhe idealet borgjezo-demokratike evropiane dolën në plan të parë, nuk arritën ta paralajmërojnë perëndimin se korniza e vjetër, e thjeshtuar e një përçarjeje nacionaliste kundër nostalgjisë sovjetike në Ukrainë po përçahej. Një shumicë individësh në perëndim ishin ende gati të besonin se, në njëfarë kuptimi themelor, Ukraina “i përkiste” Rusisë. Kur në vitin 2014 Rusia e aneksoi Krimenë dhe dërgoi trupa në Ukrainën lindore për ta shpëtuar kryengritjen e dështuar të armatosur që kishte sajuar atje, pati ankth në perëndim, shtrëngime duarsh dhe sanksione të buta, por jo pasoja serioze për Putinin.

Pushtimi i vitit të kaluar e tronditi perëndimin dhe na dha një grup krejtësisht të ri klishesh: Ukraina e guximshme, sfiduese, e zgjuar, e vuajtur, e padrejtë, duke bërtitur “Pse?” mbi trupin e një të porsalinduri të vdekur. Ukraina, mbrojtëse e vlerave civilizuese; Ukraina, duke mbajtur qetësinë dhe duke vazhduar siç e imagjinonin autorët origjinalë të sloganit, Ukraina, duke tërhequr tanke me traktorë, duke i a treguar gishtin e mesëm një anije luftarake dhe duke e fundosur atë. 

Ndjenja e qëllimit dhe e misionit të drejtë që ka krijuar në perëndim është reale dhe ka mbështetje të gjerë publike, ndonëse me një horizont të shkurtër kohor. Në ditët e para të pushtimit rus të Ukrainës, kur qëllimi i ambicies së Putinit u bë i qartë, vëzhguesit e tmerruar në Evropë dhe Amerikë sollën ndër mend ditët e rënies së pashmangshme të Ukrainës. Disa javë më vonë, kur Ukraina e mbajti Rusinë në portat e Kievit, pati admirim dhe habi për qëndrueshmërinë e Ukrainës.

Kur natyra e egër e pushtimit rus u shpërfaq në qytete si Bucha, një dozë e madhe keqardhjeje, zemërimi dhe turpi e përshkoi perëndimin dhe mbështetja për armatosjen e Ukrainës u rrit ndjeshëm. Tërheqja ruse nga Kievi dhe Ukraina verilindore ngjalli shpresa; lindën dyshime për aftësinë e Ukrainës për ta shtyrë Rusinë më tej; në vjeshtë, ukrainasit e fshinë Rusinë nga Khersoni dhe Kharkivi, armët perëndimore filluan të derdhen dhe fitorja e plotë dukej e besueshme; rusët filluan së gërmuari duke lansuar valë metodike raketash, për ta shkatërruar ekonominë e Ukrainës.

Do të ketë më shumë luftë. Me sakrificën e dhjetëra mijëra trupave të reja dhe me mbetjet e armatimit të saj shumë të reduktuar, por ende të madh, Rusia do të përpiqet t’i mbajë pjesët e Ukrainës që i ka futur nën kontrollin e saj dhe ta marrë pjesën tjetër të katër rajoneve juglindore që Putini i ka deklaruar se i përkasin Moskës zyrtare. Ukraina do të përpiqet të fusë një pykë midis forcave ruse në Krime dhe Donbas si një prelud për t’i larguar ato nga vendi. Asnjëra nga përpjekjet nuk ka të ngjarë të ketë sukses të plotë. Rusia e ka mobilizuar popullin dhe industrinë e saj, por me paaftësi dhe me gjysmë zemre; perëndimi i ka zbrazur stoqet e tij të vjetra për t’i armatosur ukrainasit, por ka bërë pak për ta ndërtuar kapacitetin për t’i zëvendësuar të njëjtat. Në një moment pas një apo dy vitesh në të ardhmen, duket se faza më e egër dhe shkatërruese e sulmit rus do të zbehet, duke mos ia dhënë mundësinë Putinit që t’i përmbushë objektivat e tij por pa qenë në gjendje që Ukraina ta dëbojë secilin ushtar dhe marinar rus nga Ukraina.

Kjo nuk do të nënkuptojë një fund të kësaj lufte, por një zgjidhje e vijave të frontit, me Rusinë që do ta mbajë Krimenë dhe pjesën më të madhe të Donbasit. Kjo mund të çojë në një armëpushim, i cili më pas mund të çojë në bisedime paqeje – bisedime paqeje të cilat, duke pasur parasysh se palët do të futeshin në dallime të mëdha me njëra-tjetrën, mund të vazhdonin pafundësisht. “Çdo kompromis territorial do të na bënte më të dobët si shtet”, i ka thënë Volodymyr Zelenskiy John Simpsonit javën e kaluar. Në Rusi, ku tashmë janë botuar tekste shkollore përmes të cilave tregohen territoret e sekuestruara ose të pretenduara – përfshirë edhe zonat që ende i ka nën kontroll Ukraina – si ruse, Putin përsëriti vetëm pak ditë më parë: “Këto janë rajone ruse”.

Sa e pengon paqen kjo?

Bota është e mbushur me luftëra të ashpra që u ndalën në një humor të urrejtjes, mosfaljes dhe dëshirës për ndëshkim dhe nuk kanë rifilluar, pavarësisht mungesës së traktateve formale dhe gjithëpërfshirëse. Këmbëngulja e Zelenskiyt që forcat ruse duhet të largohen nga çdo centimetër katror i territorit ukrainas, duke përfshirë bazën e Flotës ruse të Detit të Zi në Sevastopol, mund të tingëllojë përgjithmonë e pazbatueshme, ashtu sikurse këmbëngulja e Putinit që Ukraina duhet të dëbohet nga Khersoni dhe Zaporizhzhia.

Megjithatë, ekziston një ndryshim kritik midis dy palëve, dhe nuk është thjesht se qëndrimi i Ukrainës është i drejtë, ndërsa ai rus është kriminal. Ukraina e kundërshton pushtimin e Rusisë, por nuk e hedh poshtë ekzistencën e Rusisë, ndërsa Rusia nuk e pranon vetë nocionin e Ukrainës si një shtet. Zelenskiy nuk i beson Putinit, por ai nuk e vë në dyshim se ai është lideri i ligjshëm i kombit të tij, ndërsa Putini nuk e sheh homologun e tij ukrainas si të barabartë, duke e trajtuar udhëheqjen ukrainase sikur të kishte ardhur në pushtet në mënyrë të paligjshme, të vendosur nga dhe në pushtet plotësisht në varësi të Shteteve të Bashkuara. Nuk është çudi që Ukraina është kaq e kujdesshme ndaj bisedimeve të paqes dhe lëshimeve territoriale: si mund të marrë parasysh, të themi, një marrëveshje për statusin special të Krimesë me një partner negociator që nuk e njeh të drejtën për të qenë pjesë e pjesës tjetër të Ukrainës?

Shumë nga ata në perëndim që janë më të etur për një fillim të hershëm të bisedimeve të paqes me Rusinë duket se besojnë se ajo që është në rrezik është se sa toka të aneksuara dhunshëm mund t’i mbajë Putini. Nëse, shkruan filozofi gjerman Jürgen Habermas, vetëm perëndimi do ta kishte bërë të qartë në fillim të luftës se Rusia nuk duhet të tërhiqet më larg se kufijtë e territorit që e ankesoi në vititn 2014, negociatat e duhura mund të fillonin. Ky është një keqkuptim i mesazhit konsistent të Rusisë për periudhën e fundit të sundimit të Putinit: pavarësisht nga ato pjesë të Ukrainës që Rusia i absorbon, ajo e konsideron veten të drejtë të përhershme për një shkallë kontrolli mbi pjesën e mbetur. Rusia u përfshi në Donbas në vitin 2014 jo sepse dëshironte veçanërisht ta zotëronte rajonin në fjalë, por sepse dukej se ofronte një mjet për ta kontrolluar politikisht të gjithë Ukrainën – për ta kthyer atë në një shtet vasal, të tillë si Bjellorusia.

Rusia është e sigurt se do t’i duhet të zhvillojë negociata me Ukrainën dhe perëndimin – dhe Putini do ta bëjë të pamundurën për ta bërë këtë të fundit, perëndimin pra, bashkëbisedues të tij, në vend të Kievit – si pranim të pushtimeve të tij. Kremlini do t’i bëjë bisedimet pikënisje për kërkesat e njëanshme për një rol udhëheqës në përcaktimin e së ardhmes së Ukrainës, kushtetutën, zgjedhjet dhe madhësinë e ushtrisë së saj, duke u përpjekur që bashkarisht me Uashingtonin, Berlinin dhe Parisin ta bëjë një ndarje të Evropës të tillë çfarë ishte bërë pas  Luftës së Dytë Botërore.

Është e qartë se një gjë e tillë është e papranueshme; Nëse Rusia do t’i mbante, me marrëveshje ose përmes ushtrisë në terren, disa pjesë të Ukrainës, Kievi me të drejtë do të priste që perëndimi ta mbështeste për ta bërë të qartë se nuk do të kishte asnjë rol në pjesën tjetër. E megjithatë perëndimi mezi ka filluar ta formulojë një vizion koherent për mënyrën sesi Ukraina e tij e preferuar do të përshtatet në një të ardhme në këtë botë të rrezikshme. Duke e vendosur precedentin në muajt e fundit, një armëpushim i gjatë midis Rusisë dhe Ukrainës mund të shënohet lehtësisht jo vetëm nga bisedimet e paqes, por nga valët e raketave, dronëve dhe raketave ruse të lëshuara për ta penguar rimëkëmbjen e një vendi që po rindërtohet me plot vuajtje.

Në rast se Ukraina ideale e Putinit është një vasal i tkurrur rus, ideali i vetë Ukrainës është siguria kundër Rusisë dhe integrimi me perëndimin, për të cilin përgjigja e perëndimit është: jo ende. Jo ende – ndoshta kurrë më – në NATO, jo ende në BE, jo ende në një forcë ajrore efektive. Nëse perëndimi dëshiron ta ruajë besimin me Ukrainën dhe ta inkurajojë të njëjtën që ta pranojë çdo humbje të territorit – t`i krijojë bazat, një ditë të largët, për marrëdhëniet e mira që duhet të ketë me një Rusi të mirëqeverisur e që ka mësuar ta humbasë përbuzjen që ka për shtetësinë e fqinjit të saj – ajo duhet të bëjë një ofertë më të mirë se “jo ende”. Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë pasi oferta duhet të përfshijë një element ushtarak të trupave paqeruajtëse ose fuqisë ajrore që do ta vë nën zemërim Putinin dhe kushte tregtare me BE-në që do të jenë politikisht të vështira për Evropën.

Do të jetë me kosto të madhe, e hapur dhe do nën sulm të vazhdueshëm e të furishëm politik nga brenda dhe nga jashtë. Ajo do të jetë peng i politikës së ardhshme të Ukrainës, Rusisë, SHBA-së dhe Evropës. Është e vlefshme. Një vit më parë, bota dyshoi në mbijetesën e Ukrainës – tani është koha për të planifikuar se si ta ndihmojmë po këtë Ukrainë që të jetojë dhe të zhvillohet./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala