Ilustrim

Një shkollë në Angli u gjobit 36 mijë euro, dërgoi nxënësit në një shëtitje të rrezikshme malore

Një shkollë në Angli u gjobit me 36 mijë euro (30,000 paund) për dërgimin e një grupi nxënësish adoleshentë në një shëtitje të rrezikshme malore, raporton BBC.

Stafi i “Gateshead Cheder”, një shkollë hebreje ortodokse, udhëhoqi 13 djem në Helvellyn në Lake District në mars të vitit 2020 mes akullit dhe borës.

Një ekip shpëtimi malor kishte gjetur grupin e nxënësve të cilët i kishte zënë errësira dhe më pas i dërguan ata në një vend të sigurtë pasi njëri nga djemtë kishte rrëshqitur në akull dhe një tjetër ishte ndarë nga grupi.

Shkolla ka thënë se “ishte bërë gabim” dhe se shëndeti e siguria ishin përmirësuar.

Gjykata e Newcastle mësoi se disa djem ishin me këpucë shkollore dhe tuta sportive.

Grupi i nxënësve të vitit 10, mes moshave 14 dhe 15 vjeç, ishin në një udhëtim të organizuar të udhëhequr nga një mësues dhe një ndihmës mësues.

Para se të niseshin, mbikëqyrësit shqyrtuan raportin e motit të Distriktit të Liqenit, i cili theksoi rreziqet e ngjitjes mbi vijën e borës, por prap se prap vendosën që të vazhdojnë përpara, mëson gjykata.

Sipas BBC, të rriturit nuk ishin të kualifikuar për udhëheqjen malore ose përvojë në kushtet e dimrit dhe si mbështetje për të udhëzuar shëtitjen e kishin një aplikacion në telefonat e tyre.

Gjatë ngjitjes, të paktën dy anëtarë paralajmëruan mësimdhënësit që të ktheheshin prapa, por ata vazhduan dhe arritën në majën 950 metra.

Megjithatë, teksa zbritën ata humbën rrugën dhe përfunduan në terrene të pjerrëta që përfshinin pjesë shkëmbore vertikale me rënie prej 20 metrash, ishte thënë në seancën dëgjimore.

Njëri nga djemtë kishte rënë disa metra në akull dhe pësoi prerje të vogla. Një tjetër adoleshent nga paniku u largua me vrap dhe përfundimisht u udhëzua nga një pjesëtar tjetër.

Grupi u gjet përfundimisht pas errësirës nga ekipi i shpëtimit në Malin e Keswick.

Shkolla, në Sunderland Road, Gateshead, pranoi shkelje të shëndetit dhe sigurisë dhe u gjobit pas një ndjekjeje penale nga Ekzekutivi i Shëndetit dhe Sigurisë (HSE).