Art iluzionar; Fotografi nga Mimoza Rraci

Një copëz iluzioni në Prishtinë, përmes artit shumëdimensional

Një vepër e artit iluzionar ka përfshirë trupin e një lisi në parkun e Tokbashqes në Prishtinë.

Piktura 3D e vajzës me fustan të kuq e cila duket që po shijon në liri natyrën e parkut, është realizuar nga piktorja nga Gjakova, Mimoza Rraci.

Rraci për KALLXO.com tha se efekti që jep ky art është “përshtypje mashtruese e realitetit” edhe pse piktura është e realizuar vetëm me ngjyra.

Ajo tha se këtë vepër e ka bërë në kuadër të kompanisë së mediave digjitale Metdaan e cila përfshinë artistë, modë, storyteller, etj.

“E kemi realizuar në atë formë sa shikuesit t’i jap ndjenjën që imazhi që ata shohin është në të vërtetë shumëdimensional kur në fakt është një vizatim me ngjyra”, tha Rraci.

Artistja tha se elementet që duhet të përdoren për të prodhuar një pjesë iluzionare e si format, linjat, ngjyrat etj., duhet të zgjidhen me kujdes në mënyrë që kombinimi i tyre të arrijë efektin maksimal të synuar.

Sipas saj, ata kanë zgjedhur pemën në Tokbashqe, për shkak të frekuentimit të madh të njerëzve që edhe arti të ketë më shumë efekt në mënyrë  që shikuesit t’i jap ndjenjën që imazhi që po shohin është në të vërtetë shumëdimensional.

Një pikturë tjetër e Rracit e cila pasqyron sfidat e punonjësve shëndetësor gjatë pandemisë para disa ditësh ishte shndërruar në kartolinë të festave të fundvitit në Tajlandë dhe po përdoret si ballinë në artikujt e mediave të famshme në botë, si “Time”, “Le Figaro” e “Le Journal de Montréal”.

Kjo pikturë e cila përfshihet nga ngjyra e kaltër, duke filluar nga flamuri i Kosovës në maskë e uniforma e mjekes, po përdoret në Tajlandë si shenjë falënderuese për heronjtë e vitit 2020.