Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Doruntina Kastrati do të përfaqësojë Kosovën në Bienalen e Venedikut në 2024

Artistja Doruntina Kastrati do të përfaqësojë Kosovën në Bienalen e Venedikut 2024.

Vepra saj “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”, e kuruar nga Erëmirë Krasniqi është përzgjedhur nga një juri profesionale për ta përfaqësuar Kosovën në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venedik të Italisë në 2024.

Ka qenë vet ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku që ka dhënë lajmin për përzgjedhjen e veprës artistike që do të përfaqësojë Kosovës në këtë bienale.

“Doruntina Kastrati do të përfaqësojë Kosovën në Bienalen e Venedikut 2024. ‘Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës’, kuruar nga Erëmirë Krasniqi dhe me komisionere Hana Halilaj, është vepra e përzgjedhur nga juria në mesin e 8 propozimeve sa ishin.  Artistja ka propozuar një instalacion skulpturor që trajton punën e feminizuar, pabarazitë në vendin e punës dhe pasojat e tyre. Padyshim ky projekt ka potencial të madh për t’u bërë një hap i rëndësishëm në trajektoren e Pavijonit të Kosovës. Përgëzime dhe shumë suksese në Bienale”- ka shkruar ministri Çeku në Facebook.

Edicioni i 60-të i Bienales së Artit në Venedik të Italisë do të mbahet 20 prill deri të dielën 24 nëntor 2024.