Ilustrim

Rreth 200 filma, bibliotekë digjitale me filma dokumentarë për mësimdhënësit në Kosovë

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest” ka prezantuar platformën “Biblioteka digjitale e mësimdhënësve”, e cila pritet ta integrojë filmin dokumentar në kurrikulën shkollore.

Sipas drejtoreshës ekzekutive të “DokuFest”, Linda Llulla-Gashi, biblioteka digjitale përmban 200 filma dhe 130 fleta të punës si materiale didaktike, në të cilat mësuesit kanë qasje të pakufizuar dhe ofrohen pa pagesë.

Kjo bibliotekë është krijuar nga “DokuFest” dhe është mbështetur nga Ministria e Arsimit, Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Ambasada e Suedisë.

Sipas Llulla-Gashit, më shumë se 350 mësimdhënës janë të regjistruar në bibliotekën digjitale.

“Platforma jonë përmban 200 filma dhe rreth 130 fleta të punës si materiale didaktike, të gjitha të harmonizuara me kornizën kurrikulare të Republikës së Kosovës. Duke u regjistruar mësuesit fitojnë qasje të pakufizuar në këto burime të cilat ofrohen papagesë… Më shumë se 350 mësimdhënës janë të regjistruar në platformë. Platforma integron filmat dokumentar në kurrikulë. Filmat dhe materialet didaktike i ndihmojnë studentëve të zhvillojnë njohuri, mendimin kritik dhe po ashtu platforma ofron seminare dhe trajnime për mësuesit” – ka thënë Llulla-Gashi, gjatë prezantimit të bibliotekës digjitale, më 04.06.2024.

Me këtë rast ajo u ka shprehur mirënjohje mësimdhënësve që janë pjesë e bibliotekës digjitale.

“Dua të shpreh një mirënjohje të veçantë për të gjithë mësimdhënësit, të cilët janë pjesë e platformës sonë dhe rrjetit tonë të gjerë. Ju jeni zemra dhe shpirti i kësaj iniciative dhe pa përkushtimin dhe angazhimin tuaj të pandërprerë kjo arritje nuk do të ishte e mundur” – është shprehur Llulla-Gashi.

Kurse, shefja e kabinetit të ministres së Arsimit, Bora Shpuza, mendon se mjetet audio-vizive që do t’i ofrojë biblioteka digjitale do ta bëjnë mësimin më tërheqës.

Shpuza ka njoftuar se biblioteka do të pasurohet edhe me literaturë dhe do të vazhdojnë trajnime të mësimdhënësve rreth përdorimit të bibliotekës digjitale.

“Kjo platformë do të ofrojë mjete audio-vizive të cilat mëismdhënësit tanë do t’i përdorin për ta bërë mësimin më tërheqës dhe më efektiv për të gjithë nxënësit… Kjo platformë do të vazhdojë të pasurohet me përmbajtje e literaturë, ndërkohë që vazhdojnë edhe trajnimet e mësimdhënësve për të siguruar shfrytëzimin optimal të saj” – ka deklaruar Shpuza.

Më tej, Shpuza ka theksuar se me elektronizimin e mjeteve mësimore, edukimi meditatik merr rëndësi të veçantë.

“Ndikimi i mediave të ndryshme është dukuri të cilën duhet ta trajtojmë me shumë kujdes, posaqërisht duke ditur moshën e re dhe të ndikueshme të nxënsve tanë. Edukimi medial është pjesë integrale e kurrikulës shkollore, me qëllim të orientimit të drejt të fëmijëve dhe imunizimit të tyre ndaj manipulimeve potenciale” – ka thënë Shpuza.

Valentina Qarri, menaxhere programi për të drejta të njeriut, demokraci, barazi gjinore dhe shoqëri civile në Ambasadën e Suedisë në Kosovë, është shprehur se lansimi i bibliotekës digjitale është një moment transformativ për Kosovën.

“Suedia ka kënaqësi që të përkrah dhe të jetë pjesë e kësaj fuqie transformative dhe për përdorimin e mjeteve audiovizive në procesin mësimor… Biblioteka digjitale të cilën ne e hapim sot nuk është vetëm një burim, por është një platformë dinamike, e cila është dizanjuar që t’i përkrah proceset mësimore, duke përdorë mjetet audiovizive dhe besoj që është një testament i modernizimit të procesit arsimor në Kosovë” – ka thënë Qarri.

Ndërsa, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, bibliotekën digjitale të “DokuFest” e ka quajtur si “Netflix” për mësimdhënësit.

Davenport ka folur edhe për investimet e Misionit të OSBE-së në shkathtësitë mediale në shkolla.

“Besoj që është kryesore për t’i nxitur edhe shkathtësitë digjitale nëpër shkolla edhe besoj që pa marrë parasysh se çka do të bëjmë nuk është e tepërt çka ne do të bëjmë në të ardhmen për digjitalizmin, për t’i luftuar dezinformatat” – ka thënë Davenport.