Edicionin e 22-të i Panairit Ndërkombëtar “EXPOKOS” FOTO: KALLXO.com

Nis edicioni i 22-të i Panairit Ndërkombëtar 'EXPOKOS'

Mbi 100 biznese nga sektorët e ndërtimit, makinerisë, energjisë dhe pajisjes për mbrojtje dhe siguri në punë prezantuan sot punën e tyre në edicionin e 22-të i Panairit Ndërkombëtar “EXPOKOS”.

Në anën tjetër edhe qytetarë e studentë patën mundësinë që të informohen për oferta pune dhe për produktet dhe shërbimet që ofrojnë këto kompani.

Edicionin e 22-të i Panairit Ndërkombëtar “EXPOKOS” FOTO: KALLXO.com
Edicionin e 22-të i Panairit Ndërkombëtar “EXPOKOS” FOTO: KALLXO.com

Bekim Xhafa, udhëheqës i kompanisë CEO dhe organizator i panairit “EXPOKOS”, tha se ky panair është duke kontribuar në zhvillimin e vendit.

“Panairi sjell në Prishtinë mbi 100 biznese të këtyre katër sektorëve dhe mbi 6 mijë biznese që janë në cilësinë e vizitorëve… dhe krejt këto shifra tregojnë që “EXPOKOS” është duke kontribuar në zhvillimin e vendit, në zhvillimin e këtyre katër sektorëve”- u shpreh Xhafa për KALLXO.com.

Bekim Xhafa, organizator i panairit “EXPOKOS”. FOTO: KALLXO.com

Ai gjithashtu theksoi se këtë vit “EXPOKOS” ndanë bursa për studentët dhe njoftoi edhe për përfitimet që marrin bizneset dhe klientët nga ky panair.

“Kompanitë që janë duke u promovuar përfitojnë tregje më shumë, klientilë më shumë. Ata që vijnë si vizitorë që janë biznese, krijojnë lidhje biznesore me këta brenda këtu, ndërsa ata që mund të jenë studentë  të këtyre sektorëve përfitojnë duke u takuar me kompanitë e sektorëve që ata i studiojnë, duke i parë në praktikë dhe duke pasur mundësi të kontaktojnë me ta për të ardhmen që të bëjnë praktikën apo të punësohen te këto kompani”- shtoi Xhafa.

Ndërkaq, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se është e lumtur që përveç bizneseve nga rajoni në panair ka edhe biznese nga Unioni Evropian.

“Unë jam e lumtur kur shoh biznese jo vetëm nga rajoni por edhe nga vendet e Unionit Evropian sepse përpos që na duhet ta rrisim vlerën si rajon, të bashkëpunojmë si biznese për të kombinuar vlerën tonë kushtuar për një ofertë për tregun evropian edhe bizneset nga Evropa sjellin teknologjinë, njohurinë dhe integrohemi më shpejtë në Unionin Evropian”- tha ministrja.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. FOTO: KALLXO.com

Në mesin e përfaqësuesve të bizneseve në këtë panair ishte edhe Selami Kosumi, menaxher i shitjes nga “Metal VM” që merret me skeleri dhe konstruksione metalike tha se përmes këtij panairi synojnë zgjerimin e biznesit në tregun e Kosovës.

“Vizitorët mund të përfitojnë informacione që jemi të vetmit të certifikuar me skeleri në Kosovë, garancionin e skelerisë, sigurinë e kredisë, menaxhimin e punës, të gjitha”- tha Kosumi.

Selami Kosumi, menaxher i shitjes te biznesi “Metal VM”. FOTO: KALLXO.com

Ai pohoi se ky panair mund t’iu shërbejë atyre edhe që të punësojnë qytetarë të interesuar për punë.

Mirëpo, Kosumi gjithashtu pohoi se në Kosovë duhen kushte më të mira për punë që punëtorët të mos ikin.

“Nëse them që kjo gjendje nuk është shqetësuese nuk flas drejtë, por synojmë që të ofrojmë kushte që t’i mbajmë punëtorët e mirë, mos t’i lëmë me ikë… Gjithësesi duhet të plotësohen kushtet në Kosovë. Jo vetëm nga firma që unë e përfaqësoj por të gjitha kompanitë. Duhet me qenë ma serioze me pas më shumë të drejta për punëtorë”- u shpreh ai.

E interesuar për të parë opsionet që ky treg mund t’i ofrojë në tregun e punës ishte edhe studentja T. K. nga viti i tretë i studimeve në drejtimin e  inxhinierisë mekanike. “E kemi parë njoftimin për panairin në rrjetet sociale dhe na ka pëlqyer mundësia që na kanë ofruar neve studentëve për bursë dhe kemi dashur ta shohim veten nëse jemi të gatshëm për treg të punës. Kisha dashtë që me pas ma shumë mundësi të tilla për studentë pasi që kohëve të fundit nuk po ka shumë” – tregoi T. K. për KALLXO.com.

Ky panair do të jetë i hapur përgjatë datave 18 dhe 19 maj.