Ilustrim | Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ngritet aktakuzë ndaj drejtorit të Urbanizmit dhe dy të tjerëve për lëshimin e lejeve në Deçan

Prokuroria e Pejës në korrik të vitit të kaluar kishte zhvilluar një aksion në disa komuna në regjionin e Pejës, që kishte përfunduar me prangosjen e shumë zyrtarëve.

Pas zhvillimit të hetimeve, Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj tre zyrtarëve të Komunës së Deçanit.

Në këtë rast po akuzohet për katër dosje edhe drejtori i të Urbanizmit dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Deçanit.

Sipas prokurorisë, drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Deçanit, në katër raste të ndara, duke tejkaluar kompetencat e tij sipas detyrës zyrtare, ka lëshuar leje ndërtimi në kundërshtim me ligjet përkatëse.

Dosja e prokurorisë thotë se të pandehurit, H.T. në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Deçanit dhe i pandehuri, J.H, si person zyrtar në pozitën e shefit të sektorit për inspektim në këtë komunë, nuk kanë ndërmarr veprimet e nevojshme për të zbatuar inspektimin sipas autorizimeve dhe obligimeve të tyre ligjore, duke lejuar mbindërtimin e tri kateve të një objekti.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lart”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Pejës.

KALLXO.com në emisionin “Arrestimet për ndërtime” kishte publikuar pamje të arrestimit të zyrtarëve dhe zhvillimit të këtij aksioni.

Prokurorja e këtij aksioni ishte zotuar se do të hetojë se ku përfunduan paratë e ndërtimeve.

Prokurorja zotohet se do të hetojë ku përfunduan paratë e ndërtimeve