Cak i prokurorisë së Ferizajt për ndërtimet në Brezovicë edhe pronari i një kompanie nga Graçanica

Dhjetë persona janë arrestuar në mesin e tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit të kësaj komune, disa zyrtarë por edhe pronarë të kompanive nën dyshimet për dhënie e marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me ndërtimet në Brezovicë.

KALLXO.com mëson se njëri nga të kërkuarit e Prokurorisë së Ferizajt është edhe pronar i një kompanie nga Graçanica.

KALLXO.com që nga mëngjesi është duke raportuar në lidhje me arrestimet.

Gjatë mëngjesit KALLXO.com publikoi edhe pamje ekskluzive nga aksioni i Njësive Speciale mëngjesin e sotëm në Shtërpcë.

Aksioni i cili po udhëhiqet nga Prokuroria e Ferizajt, ka të bëjë me veprat penale të korrupsionit me ndërtimet në Brezovicë.

Ky aksion sipas vet kryeprokurorit të Ferizajt Shukri Jashari, është ndër më të mëdhenjtë në luftën kundër korrupsionit.

Prokuroria ka njoftuar se të arrestuarit po dyshohen se kanë kryer veprën penale marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti e keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

VIDEO – Aksioni i Specialëve kundër të dyshuarve për ryshfet me ndërtimet në Brezovicë