Prokurorja zotohet se do të hetojë ku përfunduan paratë e ndërtimeve

Prokurorja e Shtetit, Lumturije Vuçetaj, ka bërë të ditur se 10 personat e arrestuar në komunat e rajonit të Dukagjinit, të dyshuar për lejet ndërtimore, janë zyrtarë të Urbanizmit dhe një është zyrtar i Inspektoratit.

“4 prej tyre janë drejtorë komunalë të Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor, janë zyrtarë të drejtorisë përkatëse dhe një zyrtar është i Drejtorisë së Inspektoratit”, tha ajo.

Ajo po ashtu bëri të ditur se do të fillojnë hetimet se ku kanë përfunduar paratë e ndërtimeve.

“Kemi siguruar dëshminë dhe i kemi dy raste apo më shumë të cilat janë të faktume që të njëjtit kanë përfituar nga lëshimi i këtyre lejeve, qoftë personalisht apo familjarët e tyre dhe do të bëjmë hetime financiare paralel me çështjet penale që janë duke u hetuar personat në fjalë”, thotë prokurorja në emisionin “Kallxo Përnime”.

Dyshimet për keqpërdorim të detyrës dhe konfliktit të interesit për leje ndërtimore kishin nxitur Prokurorinë e Shtetit që të niste hetime për drejtorët e Urbanizmit në komunat e rajonit të Dukagjinit.

Pas dyshimeve filloi grumbullimi i fakteve e deri te momenti i aksionit të Policisë së Kosovës të datës 15 korrik që rezultoi me arrestimin e zyrtarëve komunalë në Pejë, Istog dhe Klinë.