Ngrihet aktakuzë ndaj Liburn Aliut

Lëvizja Vetëvendosje po pretendon se është ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit të saj, kandidatit për deputet të Kuvendit të Kosovës, Liburn Aliut.

Zyrtari i VV-së, Besnik Bislimi, e ka publikuar lajmin, duke potencuar se kjo po ndodhë dy javë para zgjedhjeve parlamentare.

Për këtë, Bislimi bën fajtor (ish)pushtetin.

Ky është postimi i plotë i tij:

“Me vendimin e saj të fundit për të ngritur aktakuzë ndaj Liburn Aliut, kandidatit për deputet të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, edhe atë vetëm dy javë para mbajtjes së zgjedhjeve nacionale, Prokuroria Themelore e Prishtinës edhe një herë, dhe në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë i rikonfirmoi brengat tona për nivelin shqetësues të politizimit të institucioneve të drejtësisë. Kjo na jep edhe më shumë të drejtë që të insistojmë në zotimin tonë për vetting të plotë dhe të menjëhershëm në këtë dhe në hallkat tjera të sistemit të drejtësisë në vend.

Në të njejtën kohë shërben si paralajmërim se garën politike këta mund ta degradojnë edhe më shumë në ditët në vijim. Ne e kemi të qartë, sa më afër fitorja e Lëvizjes, aq më absurde dhe më të pakontrolluara do të dalin reagimet e (ish)pushtetit. E dijmë se përfundimi I mundësisë së zhvatjes së parasë publike dhe fillimi i llogaridhënies për çdo keqpërdorim nuk mund të gëlltiten kaq lehtë nga keqpërdoruesit që janë fajtorët kryesorë për degradimin e vazhdueshëm të secilit segment të qeverisjes në vend. Edhe më e gërditshme kur sheh se cilat media kanë përzgjedhë si “aleatë të paguar” në këtë mision të tyre.

Por u themi me shumë siguri: i kanë bërë gabim llogaritë nëse besojnë se na zmbrapsin, ose nëse presin që do të merren seriozisht nga qytetarët marifetet e tyre dhe shpifjet e pseudoakuzat ndaj Lëvizjes dhe kandidatëve tanë për deputetë. Çdo turpërim i tyre në publik përmes inskenimeve të tilla do të përkthehet vetëm në irritim të masave dhe vetëdijësim të qytetarëve për domosdoshmërinë e ndryshimit të madh me 6 tetor.”