Nga Nju Jorku në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, kush është Rifat Latifi?  

Specialisti i Kirurgjisë, Rifat Latifi, nga sot mori pozitën e Ministrit të Shëndetësisë.

Por, kush është Rifat Latifi?

Rifat Latifi është nga komuna e Skenderajt. Ai ka përfunduar shkollën e mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në kryeqytet pas përfunditmit të studimeve në Prishtinë ai filloi specializimin në Universitetin Yale më 1999, dhe Fellowship-in për Kujdes Kritik Kirurgjik në Spitalin Lincoln, Kolegji Mjekësor i Nju Jork-ut.

Latifi është Kryetar dhe Profesor i Kirurgjisë në Kolegjin Mjekësor të Nju Jorkut në Shkollën e Mjekësisë, ai ka qenë Drejtor i Departamentit të Kirurgjisë në Rrjetin Shëndetësor të Qendrës Mjekësore Westchester në Valhalla, Nju Jork, që nga viti 2016 dhe pastaj është zhvendosur në Universitetin e Arizonës në Tucson dhe ka shërbyer si zëvëndëskryetar për Kërkim dhe Zhvillim në Fakultetin, Kolegjin e Mjekësisë të Nju Jorkut.
Përveç kësaj ai është Shef i Kirurgjisë së Përgjithshme, anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve (ACS) dhe Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve (ICS), anëtar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, dhe është i certifikuar nga bordi në kirurgjinë e përgjithshme dhe kujdesin kritik.

Nga viti 2018 doktor Latifi është Themelues dhe Kryetar i Kolegjit të Kururgëve të Kosovës si dhe kryeredaktor i revistës së kirurgjisë në Kosovë.

Specialisti i kirurgjisë është gjithashtu autor ose bashkëautor i mbi 330 artikujve dhe kapitujve të librave si dhe ka qenë autor/ redaktues i 20 librave.

Përveç se kreu specializimin për kirurgji, Latifi gjithashtu është bërë pjesë e shumë organizatave kirurgjikale shtetërore, kombëtare e ndërkombëtare këtu duke përfshirë Shoqatën Amerikane të Kirurgjisë.

Latifi, është themelues i programit të parë të teletraumës dhe teleprezencës në Arizona, Telemjekësia dhe Teleprezenca e Arizonës Jugore (SATT).

Ai ka krijuar tre programe kombëtare të telemjekësisë në Evropë (Kosovë dhe Shqipëri) dhe Afrikë (Cabo Verde), për të cilat ka marrë çmimin ”Kolegji Amerikan i Kirurgëve 2015” (ACS) / Çmimi Ndërkombëtar i Vullnetarizmit Kirurgjik Pfizer.

Dr. Latifi gjithashtu ka marrë “Çmimin e Arritjeve të Shekullit 21 për Shëndetin” nga Computerworld Honors Program dhe “Çmimin Ndërkombëtar për Promovimin e Shëndetit” nga Komisioni i Akreditimit të Shqyrtimit të Shfrytëzimit (URAC).

Katër vite më parë ai u vlerësua me çmimin e Doktorëve të Dalluar të  Westchester County “No Land Too Far Award” nga Westchester Business Journal në Westchester, New York dhe Top Doctors në vitin 2020. Përveç kësaj, atij iu dha Certifikata e Mirënjohjes nga Selia e NATO-s, Brukseli, për përkushtimin e tij dhe punën e shkëlqyeshme për sistemin shumëkombësh të telemjekësisë.

Përveç angazhimeve të tjera specialisti i kirurgjisë, Rifat Latifi ka marrë pjesë si kirurg vullnetar në Filipine që nga viti 2006 dhe shërben në Komitetin Amerikan të Kirurgëve për Angazhimin Global, si dhe shërben si Zëvendës-President i Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve, Kapitulli i SHBA-së.

Në vitin 2009, Latifi ka qenë këshilltar për shëndetësi nga Kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi.