Foto: Komuna e Malishevës

Nga një emergjencë në tjetrën, Malisheva nis dezinsektimin kundër rriqrave

Që nga dita e nesërme në territorin e Malishevës, do të fillojë fushata e dezinsektimit selektiv kundër etheve hemorragjike “krime kongo”.

Kjo gjë do të bëhet për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike që vijnë nga pickimet e rriqrave.

Fushata fillon me dezinsektimin selektiv të zonave endemike, kundër rriqrave si bartës të virusit të etheve hemorragjike.

Ky dezinsektim do të fillojë në fshatin Lladrovc të komunës së Malishevës, duke vazhduar më pas sipas situatës në terren.

Dezinsektimi në Malishevë do të përfshijë hapësirat publike dhe private në zonat endemike, të cilat do të bëhen nga ora 8 e mëngjesit.

Komuna ka bërë thirrje tek bletarët që të kenë kujdes të shtuar.

Sipas orarit të dezinsektimit të publikuar nga komuna e Malishevës, më 7 maj do të bëhet dezinsektimi në Lladrovc, më 8 maj në Senik dhe më 9, 10 dhe 11 maj në Banjë.