Foto: Facebook / Komuna e Ferizajt

Fillon dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi i shkollave të Ferizajt

Komuna e Ferizajt ka njoftuar se sot në shkollat e qytetit ka filluar procesi i dezinfektimit, dezinsektimit, deratizimit.

Sipas njoftimit të Komunës, ky projekt që bazohet në Ligjin për parandalimin  dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse mbikëqyret drejtpërdrejt nga Inspektorati i Komunës.

Tutje, Komuna njoftoi se ekipet profesionale që po kryejnë këtë aksion tashmë janë shpërndarë në pothuajse të gjitha shkollat e Ferizajt, dhe ata po punojnë me pajisje të avancuara dhe sipas standardeve më të larta të garantojnë higjienën në të gjitha ambientet shkollore.

Në njoftim, Komuna thotë se investimet e kësaj natyre, pra të mirëmbajtjes dhe higjienës në shkollat e Ferizajt, janë prioritet i qeverisjes lokale.

Ridvan Berisha, koordinator i Inspektoratit të Komunës tha për KALLXO.com se ky proces po kryhet në baza të rregullta dhe se ky proces kryhet dy herë në vit.

Berisha theksoi se sot kanë startuar me disa shkolla e deri të shtunën dhe të dielën po planifikojnë të përfundojnë në të gjitha shkollat.