Nga goditja e policëve me veturë deri tek arratisja - krejt çka ndodhi në Ferizaj

Një sulm ndaj zyrtarëve policor në Ferizaj u raportua nga Policia të martën.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli tregoi se policët e sulmuar ishin të angazhuar në planin operativ “Siguria në Shkolla”.

Tutje ai tha se pas pranimit të informacionit se në një veturë Golf 6 me targa vendore që ndodhej në atë pjesë kishte persona të dyshimtë, zyrtarët tentuan ta ndalin veturën për ta kontrolluar.

“Tre persona ishin në të, drejtuesi nuk e kishte ndaluar veturën duke vazhduar në drejtim të zyrtarëve  dhe duke i goditur me veturë dy policë dhe në këtë mënyrë duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Zyrtarët ju kanë vënë në ndjekje veturës e cila kishte vazhduar në drejtim të Gerlicës ku kishte shkaktuar aksident trafiku duke ikur nga vendi i ngjarjes”- tha Veseli.

Vetura u braktis nga të dyshuarit në fshatin Gërlicë kurse në vendin e ngjarjes kanë dal hetimet e stacionit, forenzika rajonale dhe njësiti i antidrogës.

Veseli tregon se në këtë rast, përveç dy zyrtarëve që janë godit me veturë, gjatë ndjekjes u lëndua edhe polici i tretë. Të tre të lënduarit pas marrjes së ndihmës së parë janë liruar për në shtëpi.

Prokurori kujdestar ka iniciuar rastin si “sulm ndaj personit zyrtar” dhe ka udhëzuar që të ndërmirren verimet hetimore për zbardhjen e rastit.

Në veturën e braktisur janë gjet 4.1 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe 0.2 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

Për këtë rast ende nuk ka të arrestuar.

Goditen me veturë tre policë në Ferizaj