Goditen me veturë tre policë në Ferizaj

Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë pësuar dje lëndime gjatë kryerjes së detyrave të tyre në Ferizaj.

Kjo pasi një veturë në lëvizje në të cilën gjendeshin tre persona të panjohur i ka goditur policët të cilët kishin dhënë urdhër për ndalje të veturës.

“Tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime derisa ishin në kryerje të detyrës zyrtare pasi që një veturë në lëvizje në të cilën gjendeshin tre persona të panjohur i ka goditur zyrtarët, të cilët i kishin dhënë urdhër të dyshuarve për t’u ndalur me veturë” – thuhet në raportin e PK-së.

Tutje është njoftuar se të dyshuarit, në tentativë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, kanë shkaktuar aksident dhe e kanë braktisur veturën.

Po ashtu është thënë se gjatë kontrollit në veturën e braktisur janë gjetur dhe konfiskuar 4.1 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe 0.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Gursel & Bajram Sylejmani”, dje rreth orës 15:05.

Gjithashtu është njoftuar se deri më tani nuk është raportuar për ndonjë të arrestuar dhe se rasti i iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar” është në hetime.