Qendra Korrektuese në Smrekonicë mundëson komunikimin me Skype

Nga burgu, bisedë me familjen në Skype

Shërbimi Korrektues në Kosovë ka bërë të ditur se për herë të parë, në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, ka nisur aplikimi i komunikimit virtual me Skype, ndërmjet të dënuarve dhe familjarëve të tyre.

Në njoftim thuhet se, në mirëkuptim në mes të Drejtorisë Qendrore të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Qendrës Korrektuese në Smrekonicë, të dënuarve dhe familjarëve të tyre, është vendosur që të aplikohet komunikimi virtual përmes Skype.

“Të dënuarit, fillimisht do të bëjnë kërkesë për qasje në komunikim virtual, kërkesë kjo e cila shqyrtohet nga Komisioni Multidisiplinor, i cili i rekomandon drejtorit të institucionit të lejojë ose të refuzojë kërkesën.”, thuhet në njoftim.

Pra tash e tutje, kjo qendër do të posedojë Dhomën e Komunikimit Virtual, e cila është e pajisur me laptopë dhe pajisje të tjera që do ta mundësojnë komunikimin e të burgosurve me familjarët e tyre.