Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu. FOTO: Screenshot/Benjamin Netanyahu/Facebook.

Netanyahu: Edhe pse Izraeli nuk e filloi këtë luftë, Izraeli do ta përfundojë atë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, përmes një video të publikuar në Facebook është deklaruar në lidhje me luftën mes Izraelit dhe Hamasit.

Netanyahu ka thënë se Izraeli nuk e deshi këtë luftë por ajo iu imponua.

“Izraeli është në luftë. Ne nuk e donim këtë luftë. Na u imponua në mënyrën më brutale dhe të egër. Por edhe pse Izraeli nuk e filloi këtë luftë, Izraeli do ta përfundojë atë. Dikur, populli hebre ishte pa shtetësi. Dikur, populli hebre ishte i pambrojtur. Por jo më”- është shprehur Netanyahu.

Ai ka paralajmëruar se Hamasi do ta kuptojë se duke e sulmuar Izraelin ka bërë një gabim të përmasave historike. Dhe se Izraeli do të caktojë një çmim që do të mbahet mend nga ata dhe armiqtë e tjerë të Izraelit për dekadat e ardhshme.

“Sulmet e egra që Hamasi kreu kundër izraelitëve të pafajshëm janë të paimagjinueshme: masakrimi i familjeve në shtëpitë e tyre, masakrimi i qindra të rinjve në një festival në natyrë, rrëmbimi i shumë grave, fëmijëve dhe të moshuarve, madje edhe të mbijetuarve të Holokaustit” – ka thënë kryeministri i Izraelit.

Sipas tij, terroristët e Hamasit lidhën, dogjën dhe ekzekutuan fëmijë.

“Ata janë të egër. Hamasi është ISIS. Dhe ashtu si forcat e qytetërimit u bashkuan për të mposhtur ISIS-in, forcat e qytetërimit duhet të mbështesin Izraelin në mposhtjen e Hamasit”-u shpreh ai.

Netanyahu falënderoi edhe presidentin e SHBA-së, Joe Biden dhe liderët e tjerë nëpër botë që kanë shprehur mbështetjen ndaj izraelit.

“Dua të falënderoj Presidentin Biden për mbështetjen e tij të qartë. Dua të falënderoj liderët në mbarë botën që po qëndrojnë me Izraelin sot. Dua të falënderoj popullin dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” – ka thënë Netanyahu.

Duke luftuar Hamasin, Izraeli nuk po lufton vetëm për popullin e vet.

“Ai po lufton për çdo vend që qëndron kundër barbarisë. Izraeli do ta fitojë këtë luftë, dhe kur të fitojë Izraeli, fiton e gjithë bota e qytetëruar” – ka shtuar ai.

Mëngjesin e 7 tetorit militantët e Hamasit hynë në qytete dhe komunitete në jug të Izraelit, teksa nga Gaza u lëshuan breshëri raketash në territorin e Izraelit.

Izraeli u kundërpërgjigj duke kryer sulme intensive ajrore në Rripin e Gazës, i cili që nga viti 2007 kontrollohet nga Hamasi.

Izraeli shpalli gjendjen e luftës të dielën dhe i dha ushtrisë dritën jeshile për “hapa të mëdhenj ushtarakë” për t’u hakmarrë ndaj Hamasit për sulmin befasues të së shtunës.

Nga kjo zonë lufte u evakuuan shtetas të ndryshëm nga mbarë bota, e në mesin e tyre pati edhe shtetas të Kosovës.