Ilustrim

8 shtetas të Kosovës janë larguar nga Izraeli, me 7 të tjerë Ambasada është në komunikim dhe po përpiqet t'u ofrojë zgjidhje

Kanë kaluar tashmë dy ditë prej kur Izraeli është duke u përleshur me militantët palestinezë të Hamasit, të cilët kryen një sulm masiv me raketa nga Gaza.

Izraeli shpalli gjendjen e luftës të dielën dhe i dha ushtrisë dritën jeshile për “hapa të mëdhenj ushtarakë” për t’u hakmarrë ndaj Hamasit për sulmin befasues të së shtunës.

Nga kjo zonë lufte u evakuuan shtetas të ndryshëm nga mbarë bota, e në mesin e tyre pati edhe shtetas të Kosovës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë të ditur se si rezultat i sulmit terrorist ndaj shtetit të Izraelit në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem deri më tash kanë kërkuar ndihmë tetë shtetas të Kosovës.

“Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që kërkuan ndihmë tashmë janë larguar nga territori i shtetit të Izraelit” – ka thënë MPJD.

Tutje është thënë se në Ambasadën e Republikës së Kosovës janë lajmëruar edhe shtatë shtetas të tjerë me të cilët Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm për t’u ofruar zgjidhje.

“Të lajmëruarit janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore” – thuhet në këto përgjigje.

Po ashtu është njoftuar se nga informacionet e pranuara deri më tash nuk raportohet për ndonjë shtetas të Kosovës që ka humbur jetën apo është lënduar.

Ministria gjithashtu ka thënë se janë duke mbajtur kontakte të vazhdueshme edhe me shtetasit e Republikës së Kosovës që ndodhen me punë në shtetin e Izraelit si pjesë e stafit ndërkombëtar të organizatave të huaja apo agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – OKB-së.

“MPJD i bënë thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës që kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë numrin e mëposhtëm emergjent të Ambasadës së Kosovës në Izrael +9720586340450” – thuhet tutje.

Evakuimi i shtetasve të Kosovës ka ndodhur edhe mbrëmë.

Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë bëri të ditur se u evakuuan 40 shqiptarë – mes tyre shtetas nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Në mesin e këtyre shtetasve të Kosovës ishte vajza e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës sot ka shprehur falënderim dhe mirënjohje Ministrisë për Europën dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe ministrit Igli Hasani për mbështetjen dhe ndihmën e ofruar.

Izraeli ka shpallur gjendje lufte dhe ka mobilizuar afër 300.000 rezervistë për të luftuar kundër Hamasit, teksa numri i viktimave në Izrael dhe Gaza ka shkuar në mbi 1.000.

Po ashtu, autoritetet izraelite kanë urdhëruar rrethimin e plotë të Gazës, territor i cili udhëhiqet nga Hamasi që nga viti 2007.