Nesër rifillon procesi mësimor në Klinë

Shkollat në komunën e Klinës nesër do të rifillojnë procesin mësimor.

Kështu ka bërë të ditur Komuna e Klinës.

“Drejtoria Komunale e Arsimit njofton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe qytetarët se nesër, më datë 23 janar, rifillon procesi edukativo-mësimor në të gjitha shkollat e komunës së Klinës dhe në çerdhen e qytetit. Procesi mësimor do të vazhdojë me orar të rregullt, ndërsa për datën e zëvendësimit të procesit mësimor për ditën e premte do të njoftoheni nga drejtoritë e shkollave përkatëse” – thuhet në njoftim.

Procesi mësimor në këtë komunë ishte ndëprerë të premten pas reshjeve të mëdha të shiut, të cilat shkaktuan edhe përmbytje jo vetëm në këtë komunë por edhe komuna të tjera, si Peja, Skënderaj e Mitrovica.