Foto: MINT/Facebook

Nëntë kompani kosovare marrin pjesë në panairin më të madh të IT-së në Europë

Nëntë kompani kosovare kanë marrë pjesë në panairin më të madh të teknologjisë informative në Europë, “DMEXCO 2023”, që është duke u mbajtur në Koln të Gjermanisë që nga 20 shtatori.

Pjesëmarrja e kompanive kosovare është organizuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Kompanitë kosovare që po marrin pjesë në këtë panair janë, AnchorzUP LLC (Startup), Banaku L.L.C (startup), Growzillas (startup), LinkPlus IT, IT Outsource, Koperativa LLC, Tactica (startup), Nerdy Creative Sh.P.K dhe Tenton.

Këto kompani janë duke promovuar produktet dhe shërbimet e tyre që i ofrojnë në fushën e teknologjisë informative.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se është në mbështetje të vazhdueshme të kompanive vendore për të promovuar produktet e tyre në panairet e ndryshme ndërkombëtare, me synimin që ato të jenë në trend me kompanitë ndërkombëtare dhe t’i rrisin kapacitetet prodhuese dhe eksportuese.

“DMEXCO” është panairi më i madh në Europë që organizohet për sektorin e IT-së, në të cilin marrin pjesë kompanitë me të mëdha botërore si: Google, Huawei, Microsoft etj.