Nënshkruhet memorandumi i mirëkuptimit për Manifestën e Prishtinës     

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Vlora Dumoshi dhe drejtoresha e “Manifestas“,  Hedwig Fijen nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi përmes së cilit garantohet buxheti për mbarëvajtjen e organizmit të “Manifesta 14” në Prishtinë, në 2022-ën. 

MKRS bën të ditur se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, përfaqësuar nga Ministrja Vlora Dumoshi dhe drejtoresha dhe Kryesuesja e “Manifesta-s 14”, Hedwig Fijen, nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit përmes një video-konference në Zoom. 

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, përfaqësuar nga Ministrja Vlora Dumoshi dhe drejtoresha dhe Kryesuesja e Manifesta-s 14 Prishtina, Hedwig Fijen, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit përmes një video-konference në Zoom, duke e garantuar buxhetin e vënë në dispozicion për zhvillimin e një institucioni të përhershëm ndërkulturor në Prishtinë në vitin 2022 me rastin e ‘Manifesta 14’”, thuhet në komunikatën e MKRS-së 

Po sipas kësaj komunikate, partnerët inicues të Qytetit të Prishtinës dhe Fondacionit “Manifesta 14 Prishtina” janë të kënaqur që Ministria e Kulturës është angazhuar për projektin e ‘Manifesta 14 Prishtina’ dhe trashëgimisë së saj përtej bienales.  

 “Qyteti i Prishtinës tashmë i ka përmbushur obligimet e veta ndaj Manifesta 14 që do të thotë se projekti mund të filloj, pas një vonese prej tre muajsh për shkak të pandemisë corona”, thuhet në komunikatën e MKRS-së. 

 Edicioni i 14-të i bienales nomade europiane, “Manifesta” do të organizohet në Prishtinë në 2022-ën