Nënshkruhet marrëveshja e nëntë për energjinë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë

Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar sot marrëveshjen për njohjen reciproke të licencave për tregtimin dhe furnizimin e energjisë elektrike.

Kjo do të jetë marrëveshja e nëntë e nënshkruar në mes të dyja vendeve në sektorin e energjisë elektrike.

Përfaqësuesit e të dyja shteteve nga ky sektor thanë në konferencë se brenda vitit 2022 do të funksionalizojnë bursën e energjisë elektrike ALPEX. Gjithashtu synim i të dyja vendeve mbetet edhe bashkimi i tregut elektrik Shqipëri-Kosovë një muaj pasi bursa të jetë plotësisht funksionale.

Synim tjetër i të dyja vendeve mbetet edhe bashkimi rajonal i bursës së energjisë me shtetet anëtare dhe jo-anëtare të BE-së. Ky bashkim rajonal është paraparë të implementohet në vitin 2023-2025.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha në këtë konferencë se investimet e sektorit privat në sektorin e energjisë janë të domosdoshme për shkak se të dyja vendet varen vetëm nga një lloj i energjisë, Shqipëria nga energjia hidrike dhe Kosova nga energjia me linjitit.

“Kosova dhe Shqipëria varet vetëm nga një lloj i energjisë dhe kjo e bën të domosdoshme investimet nga sektori privat. Qëllimi i përbashkët i yni përmes këtij procesi duhet të bëjë integrim të vendeve fqinje në tregun e energjisë. Hap tjetër është funksionalizimi i një burse të energjisë ndërmjet dy vendeve, po ashtu edhe nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve për integrim në këtë sektor”, tha Rizvanolli.

Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Ilir Bejtja, tha në konferencë se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të krijojë siguri në sektorin e energjisë në Kosovë dhe Shqipëri.

Gjithashtu Bejtja tha se të dyja vendet duhet të shkojnë në liberalizim të tregut sepse ndërmarrjet e mëdha nuk kanë më zotësi të krijojnë energji aq sa ka nevojë.

“Ne në Shqipëri jemi duke e ndjerë dekarbonizimin dhe Kosova do të jetë ajo që do të preket më së shumti për shkak se burimet e energjisë i ka kryesisht nga linjiti. I gjithë Rajoni do të preket nga dekarbonizimi. Ne duhet të krijojmë energji të re. Duhet të shkojmë në liberalizim të tregut sepse privatët janë më të zotë se ne sepse mund të shkojnë ta marrin energjinë dhe ta sjellin. Atë s’mund ta bëjmë ne me dinosaurët- ndërmarrjet e mëdha. Greqia do të mbyllë 8 stacione e Maqedonia do ta mbyllë stacionin dhe do të ndjejë krizën. E ku do ta gjejnë këto energjinë, sigurisht në vendet e Rajonit si Kosova dhe Shqipëria. Marrëveshjet nuk duhet të jenë vetëm në letër por duhet të zbatohen dhe duhet të krijojmë një treg shqiptar të energjisë”, ka thënë Bejtja.