Edi Rama: Qeverinë Kurti mund ta rrëzojë vetëm një protestë e Albinit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është deklaruar lidhur me raportimet në mediat kosovare për “rrëzimin e Qeverisë Kurti”.

Rama në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Kurti, pas mbledhjes së dy qeverive, tha se qeverinë aktuale mund ta rrëzojë “vetëm një protestë e Albin Kurtit”.

“Qeverinë Kurti mund ta rrëzojë vetëm një protestë e Albinit. Për sa kohë nuk del Albini në protestë kundër qeverisë së vetë, nuk ka kush e rrëzon, kështu që s’ka lidhje”, tha kryeministri shqiptar.

“Unë dua te përsërisë që me Albinin e kemi një marrëdhënie të kahershme shumë miqësore dhe do të jetë e tillë”, shtoi ai.

Paraprakisht, kryeministri Rama deklaroi se nuk është i interesuar që të përfshihet në jetën politike të Kosovës.

Sipas kryeministrit shqiptar, me Qeverinë aktuale kosovare kanë numrin më të madh të marrëveshjeve të nënshkruara si dhe të zbatuara mes dy vendeve.

“Kam një lajm për ata që kërkojmë te gjejnë arsye për te bërë komente mbi mos marrëveshje, dhe mungesë të ecurisë së duhur të punës në mes dy qeverive. Me qeverinë aktuale kemi shkallën më te madh te marrëveshjeve të nënshkruara dhe të zbatuara. Shpresoj që ky të konsiderohet një fakt dhe një arsyeje për të bërë spekulime tjera të natyrës politike sepse unë jam tërësish i pa interesuar të përfshihem në jetën politike të Kosovës”, deklaroi Rama në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti pas mbledhjes së dy qeverive.

Ndërkaq, kryeministri Rama foli edhe çështjen e “lehjeve të qenit” të cilën e përmendi gjatë mbledhjes së qeverive.

“Nuk mund të lë pa përmendur qenin që lehte para dy himneve kombëtare, mbase e keni të xhiruara, dhe pushoi mbasi u kënduan himnet. Ky është një qen që mbetet shumë i rendësishëm nga kjo ditë sepse përbën një simbol të lehjeve për arsyeje të tërheqje vëmendje por kur jemi të foksuar, puna vazhdon siç thotë edhe shprehja e bukur “qentë le të lehin, rangu le të shkojë përpara”, tha Rama.

Nga mbledhja e dy qeverive, kryeministri Rama njoftoi se në 110 vjetorin e Ditës së Flamurit, për herë të parë do të organizohet një seancë e Kuvendit, e përbashkët.

“Sot kemi rënë dakord që në kuadër të 110 vjetorit të flamurit tonë kombëtar, pavarësisë së Shqipërisë, të organizojmë për herë të parë kuvendin e përbashkuar për të dyja republikat, një seancë jubilare, ku deputetët e dy shteteve do të jenë bashkë për të adresuar popullin shqiptar. Po ashtu kemi rënë dakord që në periudhën e fund të vitit të publikojmë edhe revistën e parë bashkë qeveritare e cila do t’I shërbejë të gjithë për të parë të gjitha faktet dhe gjitha marrëveshjet dhe nivelin e zbatimit të tyre do të publikohet rregullisht në fund të cdo viti”, ka thënë Rama.