Ilustrim

Nagavci: Nesër bëhen shpërndarjet e para të abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se nesër do të bëhen shpërndarjet e para të abetares së përbashkët.

Shpërndarja e përbashkët do të bëhet nesër në praninë e ministres së Arsimit të Shqipërisë.

“Nesër do të organizojmë aktivitet në Gjakovë, ku do të ndahen abetare për vogëlushet tanë” – ka thënë Nagavci.

Ministrja gjithashtu ka bërë të ditur se tekstet shkollore janë shpërndarë në institucione arsimore, përveç disa teksteve për klasat e pesta.

“Duhet të potencoj që vetëm tekstet e klasës së pestë janë proces të cilat së shpejti do të sistemohen” – ka thënë ajo.

Për të nisur promovimin e kësaj abetareje, ministrja e Arsimit në Shqipëri, Evis Kushi, më 1 shtator do jetë në Kosovë.

“Jam shumë e lumtur që në datën 1 shtator do të jem bashkë me Ministren Arbërie Nagavci në ditën e parë të shkollës në Kosovë, ku prej andej do të nisim promovimin e risisë më të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Suksese dhe punë të mbarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës!”- bëhet më tej e ditur nga ministria e Arsimit në Shqipëri.

Për këtë është deklaruar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili ka uruar për abetaren e përbashkët.

“GËZUAR ABETAREN E PARË TË UNIFIKUAR, krijesë e bashkimit të vullneteve të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, për të gjithë fëmijët shqiptarë këtej e andej bjeshkëve, e kudo ata ndodhen”, ka shkruar Rama në Facebook.