Foto: RTV21

Në shtator mbledhja e përbashkët e Qeverive të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut pritet të mbajnë mbledhjen e përbashkët në shtator të këtij viti, në të cilën synohet nënshkrimi i disa marrëveshjeve që përfshijnë sektorë të ndryshëm.

Kështu deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Bytyqi, sipas të cilit, përgatitjet për këtë mbledhje janë në fazën finale.

“Përgatitjet janë në fazën finale, sipas informatave të fundit këtë javë, mendoj që në shtator mund të ndodh mbledhja e përbashkët në mes dy vendeve ku realisht mendoj që do të tregojmë haptas se çfarë do të thotë me të vërtetë fryma e bashkëpunimit rajonal, sepse do të kemi firmosje të disa marrëveshjeve dhe iniciativave të përbashkëta për t’u mundësuar qytetarëve tanë me të vërtetë një bashkëpunim më të madh dhe një prosperitet më të shpejtë sesa që e kanë pasur më parë”, tha Bytyqi.

Duke folur për atë që njihet si minishengen ballkanik, e që ditë më parë ka marrë emërtimin “Open Ballkan”, Bytyqi thotë se një nismë e tillë nuk e minimizon procesin e Berlinit.

“Ajo iniciativë(Open Ballkan)është e vonuar, në fakt mendoj që periudha e Covid-19 vetëm dëshmoi që nëse duam që rimëkëmbjen ekonomike ta kemi të shpejtë mendoj që çdo ditë e më herët do të duhet t’i kyçemi iniciativave çfarëdo quhen ato, por duke i lënë aspektet politike, duke parë vetëm aspektin ekonomik të ngritjes së konkurueshmërisë rajonale, të krijimit të zinxhirit të vlerës së shtuar në Ballkanin Perëndimor dhe se si ky zinxhir do të jetë pjesë e vlerës së tregjeve globale. Periudha Covid-19 krijoi një dritare, ajo është që të kapim një mundësi të kompanive të cilët në fakt duan të largohen prej vendeve të largëta siç është Kina, Indonezia etj, kompani të cilat duan ta sjellin zinxhirin e ofertës më afër prodhimit të tyre. Dhe kjo është dritarja që Ballkani Perëndimor duhet ta shfrytëzon në emër të krijimit të konkurueshmërisë rajonale, sepse nëse këtë dritare na e mbyllim dhe e humbim për shkak të kapriceve tona, mendoj që gjeneratat e ardhshme do na dënojnë”, tha ai.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike në Maqedoninë e Veriut tha se së shpejti do të bëhet i ditur vendi ku do të mbahet mbledhja dhe prioritet e saj./RTV21