Qyteti port i Mariupolit i shkatërruar, Foto: VOA

Në qytetin Mariupol fëmijët po vdesin nga dehidratimi

Bombardimi rus i Mariupolit ka shkatërruar zona të banuara.

Një qytetare nga Mariupoli e quajtur Victoria, 27 vjeç, e cila arriti të arratisej nga qyteti i rrethuar në jug të Ukrainës, Mariupol, tregon për BBC se si la familjen pas ndërsa iku në një fshat rreth 20 km larg qytetit në fjalë.

“Qyteti im është shkatërruar absolutisht”, thotë ajo, me zërin që i dridhej teksa përshkruan se dëgjonte granatimet e përditshme të sulmeve ruse.

“Njerëzit qëndrojnë në bodrum, por as aty nuk ka siguri. Ata po bombardojnë aq fort saqë edhe bodrumet e forta po shkatërrohen”.

Ajo thotë se shumë njerëz nuk kanë qasje në ushqim dhe ujë.

“Tre fëmijë që unë njoh vdiqën nga dehidratimi. Është shekulli i 21-të dhe fëmijët po vdesin nga dehidratimi në qytetin tim. Ata po vdesin nga uria tani”.

Victoria shton se ajo nuk ishte në gjendje t’i ndihmonte anëtarët e tjerë të familjes që të largoheshin nga Mariupoli dhe ndjehet në dëshpërim të madh pasi nuk arriti t’i “i nxjerrë edhe ata jashtë”.

“Unë do të qëndroj në Ukrainë dhe do të përpiqem ta shpëtoj familjen time në Mariupol. Mariupol është jeta ime, nuk e kuptoj pse duhet ta lë qytetin tim, vendin tim për shkak të Rusisë”.

Qyteti Mariupol, dikur shtëpia e më shumë se 450,000 njerëzve, është “shndërruar në hi”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërkohë që pamjet e reja tregojnë forcat ruse të poziciounuara rreth qytetit port jugor. Zyrtarët ukrainas kishin refuzuar një afat rus për ta dorëzuar qytetin të hënën.Sot është dita e 27 e pushtimit rus në Ukrainë. 

Në orët e hershme të 24 shkurtit Rusia ka dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë me qëllim të degradimit të kapaciteteve ushtarake të Ukrainës dhe të çrrënjosjes së njerëzve që i ka quajtur nacionalistë të rrezikshëm.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj luftës.

Perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit të tërheqë forcat nga Ukraina.

Rusia e konsideron luftën në Ukrainë si “operacion special ushtarak”./BBC