Aksident me fatalitet në Prishtinë

'Në mënyrë të pakontrolluar e godet semaforin' – Detaje nga Prokuroria për aksidentin me fatalitet në Prishtinë

Një burrë mbeti i vdekur si pasojë e një aksidenti që ndodhi në Prishtinë dy ditë më parë, më 26.02.204.

Vdekja e tij sipas Prokurorisë erdhi nga goditja që iu bë shtyllës së një semafori në afërsi të Ministrisë së Arsimit, nga një veturë e cila po drejtohej nga një e dyshuar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendon se ngasja e veturës ka qenë ‘në mënyrë të pakontrolluar’.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën që Prokuroria ia ka bërë Gjykatës në Prishtinë, përmes së cilës ka kërkuar që t’i caktohet masa e paraburgimit të pandehurës.

Në kërkesë është thënë se ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura, nga pakujdesia derisa ishte duke ngasur veturën e saj, ka vepruar në kundërshtim me rregullat e trafikut rrugor.

Kërkesa shpjegon në detaje se si ndodhi e gjithë ngjarja. Sipas Prokurorisë, deri tek aksidenti ka ardhur pasi e pandehura nuk iu ka përshtatur shpejtësisë dhe kushteve të rrugës.

“Me të arritur përball Ministrisë së Arsimit, tek semafori e njëjta duke vazhduar përpara në mënyrë të pakontrolluar edhe me pjesën e përparme të automjetit e godet shtyllën e semaforit dhe nga goditja semafori rrëzohet dhe godet këmbësorin” – thuhet në këtë kërkesë.

Si pasojë e goditjes nga semafori, viktima pësoi lëndime të rënda trupore e më pas vdes në vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, Prokuroria pretendon se gruaja dyshohet se kishte kryer rrezikim të trafikut publik duke shkaktuar aksidentin fatal.

Aksidenti me fatalitet në Prishtinë, kërkohet paraburgim për të dyshuarën