Ilustrim

Në Kosovë nuk ka coronavirus, një tjetër rast i dyshimtë rezulton negativ

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), përmes një njoftimi ka bërë të ditur se një rast i dyshuar gjatë ditës së sotme për coronavirus, ka rezultuar negativ.

Sipas njoftimit, ditën e sotme në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare është testuar një pacient, i cili ka rezultuar negativ.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme me 05 mars 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për një rast të dyshimtë në COVID-19. Pacienti u kontrollua nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morr mostra për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, IKSHPK-ja ka bërë të ditur se që nga data 8 shkurt deri në ditën e sotme, janë testuar 53 raste të dyshuar me virus dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Gjithashtu, edhe në pikat kufitare dhe në aeroportin e Prishtinës ka pasur kontrolle të vazhdueshme.

“Nga data 01.02.2020 deri me 05.03.2020 nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 2.611 udhëtarë. Nga Aeroporti “Adem Jashari” 475 udhëtarë, Merdare 1.106, Vërmicë 726, Jarinje 173, Dheu i Bardhë 48, Hani i Elezit 48, Kullë 21, Qafë Morinë 8 dhe Bërnjak 6, udhëtarë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.