ILUSTRIM - Polic i Kosovës- foto: Fatrion Ibrahimi -KALLXO

Në 24 orët e fundit janë raportuar 3 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj zyrtarëve policorë

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë raportuar 3 raste të sulmeve apo kërcënimeve ndaj zyrtarëve policorë.

Sipas Raportit të Policisë së Kosovës, 2 raste kanë ndodhur në Pejë, ndërsa një tjetër ka ndodhur në Malishevë.

Në Pejë, është arrestuar një person, pasi që i njëjti gjatë shqipitimit të një tikete dhe gjatë kontrollit i është gjetur në automjet një shkop bejsbolli. Sipas Policisë, në shenjë revolte i dyshuari i ka sulmuar fizikisht dy policë. Me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Ndërsa në një rast tjetër po ashtu në Pejë, është raportuar se një person i kërkuar derisa njësiti policor kanë tentuar ta ndalojnë, i njëjti nga brezi ka nxjerr një armë dhe ju ka drejtuar në drejtim të policëve, duke ikur nga vendi i ngjarjes. I dyshuari është ende në arrati, ndërsa është njoftuar edhe prokurori, rasti vazhdon duke u hetuar.

Kurse në komunën e Malishevës, dje rreth orës 13:40 është raportuar se derisa dy policë ishin në kryerje të detyrës, janë penguar nga një i dyshuar, i cili edhe ka kërcënuar me fjalë zyrtarët policor.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.