Nderohet me medalje kontingjenti i FSK-së që mori pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi

Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili ka qenë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi, është kthyer në Kosovë.

Për t’i pritur në aeroport kanë dalë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj së bashku me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral lejtënant Bashkim Jashari.

Me këtë rast komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës pjesëtarët që u kthyen nga Turqia i shpërbleu më mirënjohje me motivacion “ Shpëtoj Jetë”.

“Ekipet e Kërkim Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë operacionit të kërkim shpëtimit treguan profesionalizëm, përkushtim dhe përfomancë të lartë që rezultoi me shpëtimin e katër jetëve të qytetarëve të Republikës së Turqisë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Pas vendimit të marrë nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe në koordinim me autoritetet e Republikës së Turqisë, kontingjenti i FSK-së, u dislokua më 6 shkurt në zonat e prekura nga tërmeti.

Më 6 shkurt, një tërmet me magnitudë 7.8 goditi pjesën juglindore të Turqisë dhe vendin fqinj të saj Sirinë.

Si pasojë humbën jetën më shumë se 45,000 persona. Mbi një milion të tjerë kanë mbetur të pastrehë dhe sipas parashikimeve, kostoja ekonomike e shkaktuar nga tërmeti mund të arrijë në miliarda dollarë.