Karaçevë - 18.09.2020, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com

Ndalohet për 48 orë pronari i kazinos në Karaçevë që u dorëzua sot në prokurori

B.G është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurores së rastit Rozelida Manastiri.

Lajmin e ka konfirmuar vet prokurorja Manastiri për KALLXO.com.

“Po sot është dorëzuar në prokurori, pas intervistimit me vendim është dërguar në mbajtje për 48 orë”, tha prokurorja Manastiri për KALLXO.com.

B.G., njëri nga pronarët e kazinove ilegale në fshatin Karaçevë, është dorëzuar sot para organeve të rendit.

I njëjti ka qenë në kërkim që nga 18 shtatori, dita kur edhe u zhvilluar një operacion i gjerë i Prokurorisë në Gjilan në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, Policinë e Kosovës e disa agjenci të tjera.

Ai ka qenë i kërkuar nga Prokuroria në Gjilan dhe Policia e Kosovës në lidhje me ushtrimin e veprimtarisë ilegale në kazinot në fshatin Karaçevë.

Në aksionin në zonën e Karaçevës ku zhvilloheshin lojërat e fatit u arrestuan 35 persona ndër të cilët 12 ishin zyrtarë policorë.

Përveç arrestimeve në Karaçevë pati edhe konfiskime të materialeve të lojërave të fatit madje edhe rrënime të objekteve të cilat funksiononin si kazino.

Askioni i Karaçevës u nda në dy pjesë dhe u arrestuan më shumë se 50 persona.