Ilustrim

Ndalohet një person në Gjilan, dyshohet se i shkaktoi dëme mbi 20 mijë euro kompanisë ku punonte

Prokuroria e Gjilanit ka njoftuar se ka ndaluar një person të dyshuar, punëtor në një rrjet marketesh.

Sipas njoftimit ekziston dyshimi se L.V duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ekonomike dhe duke keqpërdorur besimin e kompanisë, e ka dëmtuar kompaninë në vlerë financiare mbi 20 mijë e 871 euro.

Sipas Policisë së Kosovës i njëjti dyshohet se nuk ka lëshuar fare kupon fiskal për blerjet e konsumatorëve.

Artikujt e blerë nga konsumatorët, fillimisht janë regjistruar nga i dyshuari, por për të përvetësuar paratë
për nevojat e tij personale dyshohet se ai nuk e kishte printuar fare kuponin fiskal, që ishte detyrë dhe
obligim i tij.

“Ekziston dyshimi se i njëjti, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ekonomike dhe duke keqpërdorur besimin e kompanisë, e ka dëmtuar kompaninë në vlerë financiare mbi 20,871.24 euro. Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i besimit’’, nga neni 330 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftim.

Prokuroria thotë se i dyshuari L.V., me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh dhe ndaj tij brenda afatit ligjor do të kërkohet masa për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale.