Naser Ramadani bën thirrje për vet-karantinë

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani u ka bërë apel të gjithë individëve e familjeve që të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë dhe të mos përzihen me persona të tjerë.

“Bëjë apel te të gjitha familjet, individët që u është kërkuar të qëndrojnë në vet karantinë, që do të thotë se në afat prej 14 ditëve do të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, familjet e tyre, ku nuk duhet të përzihen me anëtarët e tjerë të familjes nëse janë në vet-karantinë, duke ruajtur kështu shëndetin e familjes së tyre, rrethit, fshatit, e qytetit”, është shprehur Ramadani në një konferencë për media.

Sipas tij, në asnjë vend të botës, shteti nuk mund t’i kontrolloj me polici personat që vendosen në vet-karantinë.

“Unë bëj apel që ata të vetëpërmbahen, nuk ka mundësi, asnjë shtet në botë që t’i kontrolloj me polici personat që janë në vetkarantinë. Ata duhet të kenë mirësi për hir të shëndetin e tyre dhe të rrethit të tyre, e qytetarëve të Kosovës e të botës se vetkarantina është terapie më efikase në luftën kundër COVID19”, tha tutje Ramadani.

Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 3 raste të prekur nga sëmundja ngjitëse Coronavirus.

2 janë nga qyteti i Vitisë dhe një shtetase italiane që ka qëndruar për më shumë se 1 javë në qytetin e Klinës.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i bllokoj hyrjet dhe daljet e këtyre dy qyteteve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës poashtu ka marrë vendim që të mbyllë kafiterië, restorantet, qendrat tregtare, duke lënë të hapur dyqanet dhe barnatoret.

Institucionet e Kosovës në vazhdimësi janë duke bërë apel që të mos dilet në ambiente të hapura pa pasur nevojë.