Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nagavci: Në vlerësimin e mësimdhënësve nuk parashihet edhe testimi

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se në vlerësimin e performancës për mësimdhënësit nuk parashihet testimi si mjet vlerësimi.

Përmes një statusi në rrjetin social ‘Facebook’, Nagavci ka thënë se në këto rrethana të pandemisë, debati për testim të mësimdhënësve është artificial dhe i pabazë.

“Legjislacioni aktual përcakton me saktësi procedurat e vlerësimit të performances së mësimdhënësve në të cilat aktualisht testimi nuk parashihet si mjet vlerësimi. Përkushtimi jonë është në mirë zbatim të legjislacionit por edhe rishikim sistematik të po të njëjtit për të siguruar një proces meritor të vlerësimit të mësimdhënësve”, ka shkruar Nagavci.

Sipas saj, MASHTI do të sigurojë që kapacitetet profesionale të vlerësuesve nuk janë më të pakta se ato të të vlerësuarve.

Tutje, ajo ka thënë se vlerësimi i mësimdhënësve është proces i mëshiruar i punës, që sipas saj, nuk guxon të kufizohet në kohë dhe instrumente.

Nagavci ka shkruar se vlerësimi duhet të nxisë përmirësim, bashkëpunim dhe përkrahje dhe jo të përceptohet si kërcënues.

“Jam e hapur për bashkëpunim e komunikim me të gjitha palët me interes përfshi dhe SBASHK-un, mirëqenia e mësimdhënësve është prioritet i të gjithëve, mirëpo kërkesa nuk bën të kthehet në kërcënim të vazhdueshëm sindikal që cenon mësimdhënien dhe mësimnxënien, këtë nuk e lejojmë për askënd”, ka shkruar Nagavci në ‘Facebook’.

Ditëve të fundit është hapur një debat sa i përket futjes në testim vlerësues për mësimdhënësit nëpër shkollat e Kosovës, ndërsa Sindakata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë (SBASHK) e ka kundërshtuar një gjë të tillë.

SBAShK-Nagavcit: Ministre ruaju nga deklarimet që lexohen si kërcënim