Drejtuesit e SBAShK sot në Komisionin Parlamentar për Arsim. Foto: Kallxo.com

SBAShK-Nagavcit: Ministre ruaju nga deklarimet që lexohen si kërcënim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBAShK) ka kundërshtuar deklaratën e ministres së Arsimit, Arbërie Nagacvit, duke mohuar kritikat e drejtuara ndaj tyre për cilësinë e arsimit në Kosovë.

“SBASHK-u alarmon, kritikon, angazhohet për realizimin e kërkesave legjitime të anëtarësisë, por nuk shantazhon e as nuk kërcënon, por as nuk u është dorëzuar e nuk u dorëzohet kurrë shantazheve e as përpjekjeve të dikujt që ka tentuar ta lëndoj unitetin e shkëlqyer të sindikatës sonë” shkruan në komunikatën e Sindikatës.

Mbrëmë, ministrja Nagavci në një shkrim në Facebook ka shkruar se për rezultatet e ulëta në arsim përgjegjës është edhe Sindikata.

“Fatkeqësisht për rezultatet e ulëta në arsim përgjegjës janë edhe SBASHK-u si përfaqësues të mësimdhënësve. Prandaj, është koha për punë sepse të gjithë e kemi obligim ta mbrojmë interesin më të mirë të fëmijëve. Kërcënimet e ikja e përgjegjësisë na kanë dëmtuar shumë. Kjo duhet të marr fund” kishte shkruar Nagavci.

Sipas SBAShK-ut përgjigja e Nagavcit duhet të jetë e mbështetur në argumente të qëndrueshme e në fakte e jo në fjali të veshura me mllef e akuza që nuk qëndrojnë.

“E nderuar Ministre as një fakt nuk e ke ofruar në kuadër të akuzës se edhe SBASHK qenka përgjegjës për “rezultatet e ulëta” në arsim. SBASHK nuk ka qenë kreator i reformave, as i kurrikulit, as përpilues e botues i teksteve shumë të kritikuara shkollore e as nuk shpall konkurse e as nuk pranon kuadro në arsim” shkruan në reagimin e tyre.

SBAShK dje kishte kërkuar që të ketë pagesa shtesë për mësimin plotësues që do të mbahet për shkak të pandemisë.

Sindikata i ishte drejtuar Drejtorive Komunale të Arsimit, që përmes drejtorëve të shkollave të pajisin me vendime individuale secilin mësimdhënës që e angazhojnë në mësimin plotësues duke precizuar sa orë do t’i mbajnë, në cilën kohë e në cilin vend.