Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nagavci: Kemi krizë në shumë fusha nga COVID-19

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha se situata me pandeminë është përkeqësuar shumë.

Ajo ka përmendur se  vetëm në 5 ditët e fundit kemi pasur rreth 4 mijë të infektuar dhe rreth 50 qytetarë sipas saj e kanë humbur betejën me COVID-19.

“Situata në bizneset e vogla dhe në bizneset familjare ku qytetarët tanë me mundin e tyre vetëpunësohen është jashtë vëmendjes qeveritare. Situata me mësimin në shkolla është në kufi të çorganizimit përkundër përpjekjes së punës së madhe që po bëhet në shkolla e kopshte”, tha Nagavci.

Masat e marra prej korrikut e deri më sot sipas Nagavcit kanë një problem themelor që nuk garantojnë siguri dhe mbështetje për qytetarët.

“Barrën më të madhe e kanë hedhur nga vetë qytetarët”, tha ajo.

Sipas Nagavcit, tani jemi në krizë të shumëanshme nga COVID – 19 pasi sipas saj situata është jashtë kontrollit. Nagavci tha se qeveria së bashku me ministritë nuk po ia dalin të menaxhojnë me këtë krizë.

“Askush nuk e dinë se si do të kalohen tre muajt e ardhshëm të dimrit që e kemi para vetës”, u shpreh Nagavci.

Këto deklarata Nagavci i ka bërë gjatë debatit parlamentar në lidhje me gjendjen pandemike në vend dhe menaxhimin e situatës me pandeminë  në Republikën e Kosovës nga ana Qeverisë.