Muzeu virtual, Galeria prezanton ‘Medaljonin e Prizrenit’ 

Piktura “Medaljoni i Prizrenit” e piktorit Engjëll Berisha është vepra e radhës që është prezantuar në kuadër të ‘Muzeut Virtual’, të Galerisë Kombëtare të Kosovës. 

Kjo vepër është pjesë e koleksionit të veprave të Galerisë Kombëtare të Kosovës, dhe sipas kuratorit të ‘Muzeut virtual’, Zeni Ballazhi, vepra konceptohet brenda kontrasteve të përgjithshme të jetës sociale dhe të vetë njeriut, me dramacitet dhe një fuqi brenda saj. 

“Ndikimi prej psikologjisë kombëtare është fare i qartë dhe nën një formë origjinale, e shfaqur në dekoracionin e pikturës, për të cilin ai të bën të mendosh thellë”, thuhet në njoftimin e GKK-së. 

Që nga anulimi i aktiviteteve kulturore për shkak të Coronavirusit, Galeria ka filluar ekspozitat dhe prezantimin në mënyrë virtuale të  veprave nga koleksioni i saj dhe artistëve tjerë. 

 Deri më tani kjo Galeri ka mundësuar vizitën virtuale në ekspozitën e Burim Gashit, pastaj vizitë virtuale në ekspozitën e Koleksionit francez nga Muzeu i Artit Bashkëkohore në Shkup. 

Gjithashtu GKK në kuadër të serisë ‘Artisti në karantinë” ka prezantuar veprat e  Arbnor Karalitin, ato të Lorik Sylejmanit, etj. 

Ndërsa në kuadër të ‘Muzeut virtual’ Galeria ka prezantuar veprat e autorëve të ndryshme kryesisht nga fondi i saj i veprave të artit.