Galeria Kombëtare vazhdon publikimin e veprave në versionin dixhital  

Galeria kombëtare e Kosovës ka vazhduar publikimin e veprave artistike të koleksionit të saj në Facebook, pavarësisht se nga 18 maji ky institucion ka hapur dyert për publikun, pas më se dy muaj të mbylljes për shkaka të coronavirusit 

Veprat po publikohen faqen zyrtare të Facebook-ut të GKK-së, në kuadër të Muzeut Virtual. 

Vepra “Mulliri me erë” e Shaip Çitakut, është më e fundit e publikuar nga GKK-ja në kuadër të serisë së Muzeut Virtual. 

Zeni Ballazhi, përzgjedhësi i veprave që prezantohen, ka thënë për Kallxo.com se Galeria Kombëtare e Kosovës vazhdon dhe do të vazhdojë publikimin e veprave të koleksionit në kuadër të Muzeut Virtual nëpërmjet platformës FB, dhe nuk ka ndonjë afat të caktuar se deri kurë do të publikohen. 

Ai ka thënë se duke u nisur nga mungesa e infrastrukturës për prezantimin e të gjitha veprave dhe mungesa fizike e Muzeut të Artit Bashkëkohor për të pasur mundësinë e shpalosjes në tërsi të koleksionit nëpërmjet ekspozitave permanente, GKK-ja ka gjetur këtë formë virtuale të prezantimit, që siç ka thënë ai, është e përshtatshme për të gjithë ata të cilët nuk kanë mundësi apo nuk kanë pasur mundësi të shohin këto vepra.  

“Koleksioni i galerisë përmban vepra nga më të ndryshmet, prej atyre më të vjetrave që datojnë prej viteve të 60-ta të shek. XX-të e deri te vitet e fundit, të artistëve ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve ka edhe emra shumë të njohur edhe nga historia e artit botëror. Përfshin teknika dhe mediume të ndryshme si në pikturë, skulpturë, grafikë, vizatim, karikaturë, dizajn, fotografi, instalacion dhe video”, ka thënë Zeni Ballazhi, kurator në GKK 

Ballazhi ka thënë se GKK është përpjekur dhe përpiqet që koleksionin ta mbrojë sa më mirë dhe njëra nga mënyrat është që veprat e koleksionit në të ardhmen të nxirren për ekspozita dhe të shihen edhe nga të tjerët.  

Shpresoj që në të ardhmen të përmirësohen kushtet, të krijohen mjetet për pasurimin e tij dhe të investohet në ruajtjen e trashëgimisë në fushën e arteve pamore bashkëkohore, gjë që është më se e nevojshme që institucionet përgjegjëse të planifikojnë të ndërtojë apo të themelojnë sa më shpejt Muzeun e Arteve Bashkëkohore, ku do të bartet koleksioni i përhershëm, një mundësi e mirë edhe për gjeneratat e reja që të kenë mundësi qasjeje në trashëgiminë e arteve pamore si dhe mundësi e mirë për të pasuruar Historinë e Arteve Pamore Shqiptare në përgjithësi”, ka thënë Ballazhi, kurator në Galerinë Kombëtare. 

foto; GKK