Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Çeku: Mbi 1 milion euro për blerjen e veprave të artit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se mbi 1 milion euro do të shpenzohen gjatë 3 viteve në vazhdim për të blerë vepra të artit dhe për të pasuruar fondin shtetëror të artit.

Në mbledhjen e fundit, më 1 mars, Qeveria e Kosovës mori vendim për të ndarë një fond për blerjen e veprave të artit, përmes procedurave të veçanta për periudhën 3-vjeçare, 2022-2024.

Përmes një postimin në Facebook, ministri Çeku ka thënë se me këtë vendim po vlerësohen dhe mbështeten artistët.

Ai ka thënë se programit që filloi vitin e kaluar i është  shtuar edhe elementi i blerjes së veprave të artistëve të dëshmuar që nuk janë më në mesin tonë.

“Javëve në vijim do të hapet thirrja publike për blerjen e veprave të artit. Përgjatë tre vjetëve do të pasurojmë fondin shtetëror të artit përmes thirrjeve të rregullta publike dhe blerjes direkte”, ka shkruar ndër të tjera Çeku.

Vitin e kaluar MKRS hapi thirrje për blerjen e veprave të artit nga artistë vendorë.

Por u detyrua ta anulojë vendimin për blerjen e veprave të përzgjedhura pas protestave të krijuesve pamorë.