Muzeu Etnologjik në Gjakovë, Foto: KALLXO.com

‘Muzeu Etnografik’ në Gjakovë i mbyllur për vizitorë që nga marsi për shkak të punimeve

Punimet në “Muzeun Etnografik” në Gjakovë po vazhdojnë ende, derisa që nga muaji mars i këtij viti vazhdon të jetë i mbyllur për vizitorët.

Besim Hasi që e drejton muzeun, thotë se nuk ka informacion se kur do të përfundojnë punimet edhe pse ka kërkuar të informohet, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

“Unë personalisht kam kërkuar, por nuk kam marrë ndonjë datë të caktuar se kur do të përfundojnë, kemi kërkuar plan dinamik të punimeve” – tha Hasi KALLXO.com.

Muzeu Etnologjik në Gjakovë, Foto: KALLXO.com

Hasi tregon për investimet e parapara, të cilat janë largimi i tjegullave të asbestit, që kanë qenë poshtë tjegullave të argjilës, podisja e kulmit dhe rivendosja e tjegullave të argjilës.

Po ashtu potencon që më herët Komuna e Gjakovës ka investuar në muze por prapë parashihet të ketë projekte për ajrosjen e hapësirave të objektit.

Sipas Hasit projektet do t’i drejtohen qoftë Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit apo edhe donatorëve të huaj.

Ndërsa Selajdin Kumnova nga Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore thotë që intervenimet e nisura do të përfundojnë në fund të këtij muaji.

Muzeu Etnologjik në Gjakovë, Foto: KALLXO.com

“Nisur nga dinamika aktuale e punimeve dhe pozicioneve të mbetura për t’u realizuar si dhe zotimit të Operatorit Ekonomik, planifikojmë që punimet në objektin e Muzeut Etnografik të përmbyllen gjerë në fund të këtij muaji” – tha Kumnova.

“Në bazë të Kontratës dhe me paramasa është paraparë edhe hapja e një dere në Çardakun e tipit të mbyllur- anësor si dhe shkallëve të drurit që janë vendosur me arsyetimin e funksionit të shkallëve për evakuim emergjent. Meqenëse ekzekutimi i këtij pozicioni e degradon dukjen origjinale te objektit dhe është shmangie nga gjendja burimore e tij unë ne cilësinë e organit mbikëqyrës dhe bazuar ne përvojën time mbi 30 vjeçare në fushën e trashëgimisë kam kërkuar ri-vlerësim e këtij vendimi” – pohon Kumnova.

Muzeu Etnologjik në Gjakovë, Foto: KALLXO.com

KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigjie nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit lidhur me ekzekutimin e punimeve por deri në publikimin e artikullit, nga ministria nuk kanë ofruar përgjigjie.

Këto investime në muze kanë qenë të parapara para katër vjetësh, me vlerë prej 65 mijë euro.

“Muzeu Etnografik” i Gjakovës i ndërtuar në vitin 1830, është i vendosur në një shtëpi tradicionale. Ka një koleksion të pasur që paraqet kulturën lokale, dhe ka pasur rol në përhapjen e arsimit, kulturës dhe njohjen e historisë së popullit tonë.